Aktakuza për gjykim në mungesë ndaj serbëve që kryen krime në Kosovë

23:02 | 12 November 2022

Kishte vetëm 6 muaj por kjo nuk pengoi ushtrinë serbe të vrasë Lirije Muçollin. Përveç saj, në Poklek të Drenasit janë vrarë 54 civilë, ndër ta edhe Sinan Muçolli që kishte 75 vjeç.

Forcat paramilitare serbe viktima të shumta lanë edhe pas masakrave në Likoshan e Çirez, Izbicë, Burgun e Dubravës, Krushë të Madhe, në Mejë, Qyshk, Reçak, Suharekë, Abri e Epërme, Rezalle e plot vende të tjera gjithandej Kosovës.

Për autorët e këtyre krimeve, shumë shpejt do të nisin aktakuzat e gjykimit në mungesë nga drejtësia kosovare.

Kështu njofton prokurorja speciale, Drita Hajdari.

Një gjë e tillë pritet të ndodhë pavarësisht që Serbia nuk ka treguar gatishmëri e as bashkëpunim në këtë drejtim.

Krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë po hetohen nga vetëm katër prokurorë specialë, që nga Hajdari po konsiderohet numër shumë i vogël.
Prokurorja speciale pohon se tashmë janë identifikuar një numër i madh i kryerësve të këtyre krimeve.

Aktualisht në hetim janë mbi 60 raste për dhunime seksuale të grave e burrave nga Kosova gjatë luftës së fundit. Institucionet e Kosovës nga UNMIK dhe EULEX kanë trashëguar rreth 900 lëndë lidhur me to, e dy mijë të tjera për të zhdukurit.

Komento: