Aktakuzë ndaj dy personave për keqpërdorim të pozitës zyrtare në Prizren

12:23 | 26 Korrik 2024
aktakuze-ndaj-dy-personave-per-keqperdorim-te-pozites-zyrtare-ne-prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve D.H., dhe I.I., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në komunikatë thuhet se sipas aktakuzës, nga data 04.04.2022 e deri me datë 26.01.2024 në zyrën për ekzekutimin e sanksioneve penale pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, në cilësinë e personave zyrtar – duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar,  D.H., në pozitën e bashkëpuntorit profesional në zyrën e ekzekutimit të sanksioneve penale si dhe I.I., në pozitën e referentit në zyrën e ekzekutimeve të sanksioneve,  në bashkëkryerje nuk i përmbushin detyrat zyrtare, me qëllim të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, në atë mënyrë që me dashje nuk i kanë dorëzuar, duke i fshehur Urdhëresat e Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe atë nëntë (9) lëndë, të cilat kanë qenë dashur të dërgohen për ekzekutim duke i mundësuar të dënuarve, t’i shmangen mbajtjes së dënimit me burg, apo kryerjes së pagesave në emër të dënimit të shqiptuar në të holla, duke i shkaktuar dëm Sistemit Gjyqësor.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet më tej në komunikatë.

Komento: