Aktakuzë ndaj gjashtë personave për narkotikë dhe armëmbajtje pa leje në Suharekë

14:35 | 13 Korrik 2026
aktakuze-ndaj-gjashte-personave-per-narkotike-dhe-armembajtje-pa-leje-ne-suhareke

Prizren, 13 korrik 2026 – Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, me inicialet S.K., A.K., F.F., L.A., A.F. dhe D.G., nën dyshimin për përfshirje në shitblerje dhe shpërndarje të paautorizuar të substancave narkotike. Ndaj të pandehurit A.K. është ngritur aktakuzë edhe për armëmbajtje pa leje.

Sipas Prokurorisë, S.K. akuzohet se më 29 janar 2026, në Suharekë, është kapur me rreth 26.6 gramë marihuanë të ndarë në 30 qese, të destinuara për shitje.

A.K. dyshohet se nga shtatori 2025 deri në janar 2026 ka shpërndarë dhe ofruar për shitje kokainë. Gjatë bastisjeve janë sekuestruar rreth 465 gramë marihuanë, 3.3 gramë kokainë, një substancë e lëngët e dyshuar narkotike, peshore digjitale, grinder dhe 2,200 euro. Në lokalin e tij është gjetur edhe një pistoletë M57 me një karikator dhe katër fishekë, të cilat sipas aktakuzës mbaheshin pa autorizim.

Ndërkohë, F.F. akuzohet se në të njëjtën periudhë ka shpërndarë kokainë, ndërsa gjatë kontrollit janë sekuestruar një peshore digjitale dhe dy automjete që, sipas aktakuzës, janë përdorur për kryerjen e veprës penale.

Sipas aktakuzës, të pandehurit L.A., A.F. dhe D.G., duke vepruar në bashkëkryerje, nga shtatori deri në nëntor 2025 kanë shpërndarë dhe ofruar për shitje kokainë në Suharekë dhe zona të tjera. Në një rast janë sekuestruar mbi 300 gramë kokainë, e cila ishte hedhur nga automjeti gjatë largimit nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria ka kërkuar konfiskimin e rreth 740 gramëve substanca narkotike, përfshirë mbi 400 gramë marihuanë dhe mbi 330 gramë kokainë, si dhe konfiskimin e armës, municionit, tre automjeteve, 2,200 eurove dhe 500 frangave zvicerane, që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal.

Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës që, pas shqyrtimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen në përputhje me ligjin.

Gazeta10 përcjell njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren.

Komento: