Aktakuzë ndaj Haxhi Shalës dhe 6 të tjerëve për vjedhje të votave

14:18 | 30 Dhjetor 2022

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ish-deputetit Haxhi Shala dhe gjashtë personave tjerë për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”. Bëhet fjalët për zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit të vitit 2021.

“Në mesin e të akuzuarve janë: H. Sh. Ish deputet i Kuvendit të Kosovës gjatë legjislaturës së vitit 2019 nga radhët e subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të pandehurve S. M., A.K., I. H., G. H., dhe D. G. që të gjithë zyrtarë të Qendrës për Numërimin e Rezultateve të KQZ-së dhe të pandehurit P.P”, thuhet në njoftim.

Sipas PSRK-së, hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit, kundërligjshëm ia kanë shtuar 65 vota kandidates për deputete Meliza Haradinaj-Stublla nga radhët e AAK-së, kurse kandidatit Haxhi Shala ia kanë shtuar 3 vota. Por, Prokuroria nuk ka siguruar prova se Haradinaj është përfshirë në kryerjen e veprës.

“Hetimet arritën të dëshmojnë përfshirjen e kandidatit H. Sh në kryerjen e veprës penale, mirëpo nuk arritën të sigurojnë prova të mjaftueshme për të vërtetuar dyshimin e bazuar se M. H. S. ishte e përfshirë në kryerjen e veprës penale”, thuhet më tej.

Bëhet e ditur se kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.

Komento: