Aktakuzë ndaj katër personave për posedim dhe shitblerje të narkotikëve

15:17 | 26 Janar 2024
aktakuze-ndaj-kater-personave-per-posedim-dhe-shitblerje-te-narkotikeve

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit E.Sh., për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Lehtësimi i sigurimit apo përdorimit të narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge”, si dhe ndaj të pandehurve: Z.K. F.Sh., dhe V.Z., të cilët ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri E.Sh., me datë 05.08.2023 rreth orës 21:40min, në Prizren, në lokalin me inicialet “L.B”, i cili gjendet në perimetrin brenda 20 metrash, në afërsi të shkollës, pa autorizim blen ose posedon me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofron për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, dhe, të njëjtën e shpërndan tek të tjerët, në atë mënyrë që gjatë kontrollit të lokalit të sipërshënuar, në trupin e tij, janë gjetur 16 qese plastike me substancë të dyshuar narkotikë të llojit “kokainë”, ndërsa, në lokal gjatë kontrollit, janë gjetur 70 qese plastike të mbushura me substancë të dyshuar narkotikë të llojit “kokainë” në peshë neto prej 29.46 gram, një dozë e substancës së njëjtë në peshë prej 0.31 gram ia kishte shpërndarë dhe dorëzuar të pandehurit Z.K., e gjatë kontrollit të shtëpisë së tij në fshatin Hoqa e Qytetit, në dhomën e fjetjes është gjetur një peshore digjitale, mjet i cili është përdorë për matjen e substancës narkotike dhe 4,050.00 euro që dyshohet se janë mjete të fituara nga shitja e substancave narkotike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Me këtë, E.Sh akuzohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” sipas Kodit Penal.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, i pandehuri E.Sh., më 5 gusht 2023, në lokalin e sipërshënuar të cilin lokal ai e drejton, dhe përdoret si kafene, lejon përdorimin e narkotikëve në atë mënyrë që të pandehurve F.Sh., Z.K. dhe V.Z., në cilësinë e konsumatorëve, u lejon përdorimin e substancave narkotike si marihuanë dhe kokainë.

Me këto veprime, E.Sh., akuzohet se ka kryer veprën penale “Lehtësimi i sigurimit apo përdorimit të narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge” sipas Kodit Penal.

“Ndërkaq, të pandehurit: F.Sh., Z.K., dhe V.Z., me datë 05.08.2023 rreth orës 21:40 min, derisa kanë qenë në cilësinë e konsumatorëve në lokalin “L.B” në Prizren, pa autorizim ka poseduar narkotikë në atë mënyrë që gjatë kontrollit nga ana e policisë, tek i pandehuri F.Sh., në trupin e tij policia ka gjetur gjysmë joint (cigare e përdorur marihuanë) e dyshuar për lëndë narkotike të llojit marihuanë, me peshë prej 0.12 gram”, thuhet më tej.

Kurse, tek i pandehuri Z.K., thuhet se policia në trupin e tij ka gjetur katër foli alumini, me sasi të dyshuar narkotikë të llojit marihuanë, me peshë neto prej 1.6 gram dhe një qese plastike me substancë narkotike të dyshuar kokainë, me peshë 0.31 gram.

“Ndërsa, tek i pandehuri V.Z., policia me rastin e kontrollit tek i njëjti ka gjetur mbetje të substancës narkotike të dyshuar për marihuanë, me peshë prej 0.26 gram, një peshore digjitale dhe një mulli së bashku me një paketim rizlla, mjete këto për përgatitjen e substancës narkotike për konsumim”, thuhet më tej.

Me këto veprime, të njëjtit akuzohen se kanë kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” sipas Kodit Penal.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”, njofton Prokuroria.

Komento: