Aktakuzë ndaj pesë personave për rastin e dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë

15:45 | 08 Dhjetor 2022

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se Departamenti për të Mitur, pas zhvillimit të hetimeve dhe zgjerimit të tyre, mbledhjes dhe analizimit të provave, sot ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave: E.R. dhe Sh.K., (madhorë), si dhe ndaj tre të miturve, të përfshirë në rastin i cili ka ndodhur në muajin gusht të vitit 2022, ndaj 11 vjeçares, të cilët gjenden në paraburgim.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri E.R., ngarkohet për veprat penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, nga neni 228 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Trafikimi me njerëz”, nga neni 165 paragrafi 2 lidhu me paragrafin 1 të KPRK-së, ndërsa i pandehuri Sh.K., ngarkohet për veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, nga neni 228 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”,thuhet në njoftimin për media.

Gjithashtu u theksua se njëri prej të miturve ngarkohet për veprat penale “Dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 8 lidhur me paragrafin 7 dhe paragrafin 4 të KPRK-së, “Trafikimi me njerëz”, nga neni 165 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi”, nga neni 232 par. 1 të KPRK-së.

“Ndërkaq, dy të miturit e tjerë ngarkohen për veprat penale “Dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 8 lidhur me paragrafin 7 dhe paragrafin 4 të KPRK-së, si dhe për veprën penale “Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi”, nga neni 232 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së”.

Nga Prokuroria u tha se përveç kësaj, ndaj rastit tjetër penal i cili i takon muajit qershor të këtij viti, ju njoftojmë se është në proces të zhvillimit të hetimeve, duke i dhënë prioritet deri në epilogun përfundimtar të kësaj çështjeje penale.

Komento: