Aktakuzë në mungesë ndaj tre të pandehurve për krime lufte në Kosovë

16:33 | 30 December 2024
arrestimi-i-shtetasit-te-kosoves-ne-serbi,-cka-dihet-deri-tani

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre të pandehurve për krime lufte ndaj popullsisë civile. Prokuroria ka njoftuar se aktakuza në mungesë është ndaj D.G., Z.C. dhe Z.S.

I pandehuri D.G. dyshohet se në gradën e kolonelit, në periudhën janar-korrik 1999, ka qenë në dijeni dhe s’ka ndërmarrë asnjë veprim ndaj vrasjeve, plagosjeve, djegies për së gjalli, marrjes peng dhe torturave fizike ndaj viktimave civile shqiptare.

Këto krime janë kryer në fshatrat Inatoc, Llovcë, Pogragjë dhe Uglar.

I pandehuri Z.C. dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e tetë civilëve, ku dy prej tyre i kanë vendosur në grumbull drunjësh dhe njëri prej tyre është djegur i gjallë.

“Ndërkaq për të pandehurin Ž.C. ekziston dyshimi i bazuar mirë se në cilësinë e mjekut të Spitalit Regjional në Gjilan, me datë 05/04/1999, nuk ofron ndihmën e duhur mjekësore viktimës N.R, i cili ishte plagosur nga grupi kriminal si më lartë, vetëm për faktin se i njëjti ishte i përkatësisë nacionale shqiptare, të njëjtin e urdhëron që të largohet sa më shpejt nga Spitali, e si pasojë e këtij veprimi viktima ndërron jetë në orët e vona të së njëjtës ditë, – më këtë, ka kryer veprën penale, Krime Lufte Kundër Popullatës Civile nga neni 142 të LP të RSFJ-së”, thuhet në njoftim.

Komento: