Prokuroria Themelore e Pejës ka ngritur aktakuzë kundër S.B., nën dyshimin për grabitjen e një sasie të madhe të parave para rreth dy vjetësh.
Sipas aktakuzës, i pandehuri S.B., më 27 dhjetor të vitit 2016, rreth orës 23:00, në qytetin e Pejës, në marrëveshje paraprake mes tij dhe grupit tjetër, ku bëjnë pjesë së paku edhe tre persona, ende të pa identifikuar, shkojnë në shtëpinë e të dëmtuarit G.G.
Pasi ky i fundit hap derën e shtëpisë, të pandehurit i hidhen sipër duke e shtrirë për tokë me fjalët “policia, policia”, me ç’rast të dëmtuarit me shirit ngjitës ia lidhin gojën dhe këmbët, e tërheqin zvarrë deri në dhomën tjetër, ia vënë prangat dhe e rrahin me mjete të forta, për ta detyruar të tregojë ku i kishte paratë e këmbimores.
Të pandehurit pasi marrin çelësin e kasafortës grabitin 146 mijë 490 franga zvicerane, 23 mijë e 433 dollarë amerikanë, 52 mijë e 090 euro, 1.237 euro në valuta të ndryshme suedeze dhe norvegjeze, 262.95 lekë, si dhe ari në vlerë prej 15.000 mijë euro.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.