Nënkryetari i të rinjve të AAK-së, Visar Dili, ka zhvilluar një protestë simbolike para Ministrisë së Bujqësisë, e cila udhëhiqet nga ministri Faton Peci.
Me një pankartë në dorë, Dili ka ngritur pyetje publike lidhur me menaxhimin e buxhetit të kësaj ministrie.
Në pankartën që mbante, ai akuzon ministrin Peci për dhënien e 100 mijë eurove nga buxheti i dedikuar për bujqit, njërit prej këshilltarëve të tij.
Dili ka deklaruar se aferat korruptive brenda Ministrisë së Bujqësisë po e degradojnë këtë institucion.
Ai e ka cilësuar ministrin Peci si një “gardian të rremë”, që sipas tij po përdor retorikën e mbrojtjes së pasurisë së shtetit për të fshehur korrupsionin e brendshëm.
“Buxheti që u takon fermerëve nuk duhet të përfundojë në xhepat e njerëzve të afërt me pushtetin. Fermerët e Kosovës meritojnë mbështetje të vërtetë dhe transparencë, jo skandale e korrupsion,” ka theksuar Dili, duke kërkuar llogaridhënie të menjëhershme nga autoritetet.
Ngjarja ka nxitur reagime në opinionin publik, me kërkesa në rritje për hetim të plotë të pretendimeve për subvencionet në sektorin e bujqësisë.