PSD me aktivitet simbolik para kuvendit, e quajnë jodemokratik
Partia Socialdemokrate ka zhvilluar sot një aktivitet simbolik para Kuvendit të Kosovës.
Tek hyrja e ndërtesës së kuvendit, ata vendosën një mbishkrim me të cilin e quanin jodemokratik këtë institucion.
“Kuvend jodemorkatik”, thuhet në mbishkrimin e tyre.
PSD-ja e ka quajtur dekurajuese qasjen e kuvendit dhe të kryeparlamentarit, Glauk Konjufca.
“E vonuan, e zvarritën, por nuk arritën ta ndalin. Peticioni i nënshkruar nga mbi 11 mijë qytetarë, ku kërkohet inicimi i ligjit për faljen e gjobave të pandemisë, tash së fundi kaloi të gjitha procedurat burokratike, por jo edhe lejimin e pjesëmarrjes në seancë ku diskutohet dhe votohet kjo temë. Është dekurajuese qasja e Kuvendit, përkatësisht kryeparlamentarit Konjufca, për qytetarët që kanë nevoja dhe organizohen rreth çështjeve në interes për ta. Demokracia përfaqësuese është më e gjërë sesa formaliteti i shtruar në institucione. Ligji e mundëson, deputeti e refuzon. Në vend se të nxiten iniciativat e tilla dhe të mbrohen direkt nga qytetarët, frika e pushtetit zuri ulësen e tyre. Këta përfaqësues janë të kapur ngushtë pas pushtetit të tyre”, thuhet në komunikatën e PSD-së.