“Mi kanë blerë pizhamet ushtarake”, aktrimi i Vuçiqit në Rashkë para serbëve që i kontrollon.
Kreu i shtetit serb bashkë me ministrin e Brendshëm dhe shefin e ushtrisë serbe mbrëmë kishin udhëtuar nga Beogradi për në Rashkë ku do të takoheshin me përfaqësuesit e Listës Serbe për të biseduar lidhur me barrikadat. Goran Rakiq përmes një deklarimi paraprak përpara takimit me Vuçiqin kishte treguar se ky i fundit i kishte sugjeruar se do të ishte mirë që barrikadat të hiqeshin. Gjithë ky zhvillim kishte ardhur pasi Dejan Pantiq u lirua nga paraburgimi në arrest shtëpiak, BE dhe SHBA lëshuan njoftim me disa garanci dhe KFOR-i doli me sqarim se FSK-ja s’mund të shkojë në veri pa lejen e komandantit të KFOR-it.
Pas takimit të zhvilluar me serbët, Vuçiq kishte bërë të ditur se barrikadat do të fillonin të largoheshin qysh në mëngjesin e ditës së enjte (sot), ndërkohë bisedën në Rashkë e kishte cilësuar si jo të lehtë.
Kreu i shtetit serb gjithashtu kishte sqaruar se pse një takim i tillë është mbajtur i mbyllur dhe pa praninë e kamerave. Sipas tij, ata donin të flisnin për gjithçka dhe të shprehnin “frikën” e tyre.
‘Njerëzit kërkuan që të mos ketë kamera, kështu ata do të mund të flisnin dhe të shprehnin frikën e tyre, ata folën për gjithçka”, ka thënë Vuçiq pas takimit duke shtuar se mendimi i tij i përgjithshëm është se “ka qenë një ditë e mirë për serbët”.
Nga ky takim Vuçiq u mundua të propagandojë se si serbët që jetojnë në veri të Republikës së Kosovës e kanë humbur plotësisht besimin tek kryeministri i Albin Kurti. Sipas tij, këtë ia kishin thënë njerëzit në barrikada kur kishin shprehur kërkesat e tyre gjatë bisedës në bazën usharake në Rashkë.
“Ata nuk kanë fare besim tek Albin Kurti”, kishte deklaruar Vuçiq.
Nga Rashka, Vuçiq gjithashtu kishte thënë se në rast se do të ketë arrestime të tjera, atëherë serbët do të “mbyllin veriun përgjithmonë”.
Kreu i shtetit serb kishte kërcënuar me një bllokadë të re që sipas tij s’do të hiqej kurrë më.
“Nëse vazhdojnë arrestimet, ata (serbët e Kosovës) do ta mbyllin përgjithmonë veriun e Kosovës, do të vendosin barrikada që nuk do të hiqen kurrë dhe që do të jetë një kufi për Prishtinën që nuk do ta kalojnë kurrë”, kishte deklaruar presidenti serb.
Sipas Vuçiq, në takimin e orëve të vona në Rashkë, serbët e Kosovës “kishin kërkuar” nga ai edhe një premtim që “s’do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës”
Vuçiq mundohej të tingëllonte se serbët që jetojnë në Kosovë mund të tregohen të padëgjueshëm ndaj tij edhe përkundër faktit se ai i kontrollon plotësisht.
Siç thoshte pas takimit, Vuçiq iu kishte kërkuar atyre që të respektojnë arsyen pse ishin mbledhur në Rashkë dhe të fillonin t’i hiqnin barrikadat për t’ia dhënë edhe një shans “dialogut, paqes dhe besimit”.
“Ata po kërkojnë një premtim se nuk do të ketë kurrë njohje të Kosovës dhe se Kosova do të mbetet si territor i Serbisë. I kërkova që të respektojnë atë për të cilën kam ardhur, t’u kërkoj që të fillojnë të heqin barrikadat dhe t’u japin një shans bisedimeve, paqes dhe besimit”, kishte shtuar tutje.
Vuçiq tutje në konferencë kishte treguar se u ka thënë serbëve të Kosovës se do t’iu qëndrojë mbrapa për çfarë do që kanë vendosur edhe në rast se s’do të pajtohet me vendimin e tyre.
Ndërkohë kishte thënë se në rast se Kosova do të arrestojë serbët për shkak të vendosjes së barrikadave atëherë Serbia do të mbështes ata për çfarëdo veprimi që do të bënin në veri të Republikës së Kosovës.
“Çfarëdo që të keni vendosur, unë mund të pajtohem ose jo me të, por shteti juaj do t’ju qëndrojë pranë. Për mua, nëse ata fillojnë të arrestojnë serbët për shkak të barrikadave, çdo gjë që bëni pas kësaj, do të keni mbështetjen e shtetit të Serbisë dhe mbështetjen time personale”, kishte shtuar presidenti serb.
Vuçiq gjithashtu kishte folur edhe për komunikatën e KFOR-it në të cilën u dhanë sqarime edhe për ushtrinë serbe por edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Për ushtrinë e Kosovës, në komunikatën e KFOR-it u tha se ata s’mund të vendosen në veri të Republikës së Kosovës pa miratimin paraprak të KFOR-it.
Kreu i shtetit serb ka deklaruar se kjo është hera e parë që KFOR-i e thotë qartë që “Forca e Sigurisë së Kosovës nuk lejohet që të vendoset në veri të Kosovës”.
Presidenti serb i cili ka qenë edhe ministër i propagandës në kohën e Sllobodan Millosheviqit, mundohej të paraqiste gjendje të renduar të serbëve në veri të Republikës së Kosovës, duke thënë se “i kupton se mund të jenë të pakënaqur edhe pse e kanë arritur pothuajse të gjithën që mund të arrihej”.
Sipas tij, ata tashmë s’i besojnë as Evropës dhe as Amerikës e për kryeministrin Albin Kurti as që bëhet fjalë.
“Unë i kuptoj se ata janë të palumtur me faktin se ata nuk e dinë se në çfarë vendi po jetojnë. Atje ka shumë pasiguri, ata thonë se s’i besojnë as Evropës as Amerikës, e lërë më Albin Kurtit”, shprehej Vuçiq.
Vuçiq pas takimit kishte thënë se ishte i gatshëm që të bisedonte me ta gjatë gjithë natës, derisa kishte treguar se për të ishin përgatitur edhe një palë pizhame ushtarake në rast se do të flinte natën e së mërkurës në bazën ushtarake në Rashkë.
Pas takimit të mbrëmshëm në Rashkë, sot në mëngjes është larguar barrikada që kishte bllokuar rrugën për në pikën kufitare në Merdare, ndërkohë sot është larguar plotësisht edhe barrikada në Ruadre.