
Situata rreth buxhetit të Komunës së Prishtinës ka nisur të qartësohet pas përplasjeve publike mes kryetarit të Kryeqytetit, Përparim Rama, dhe Qeverisë së Kosovës, përkatësisht ministrit të Financave, Hekuran Murati.
Fillimisht, Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte miratuar buxhetin për vitin 2026 më 6 shkurt 2026, ndonëse afati i fundit për miratim kishte qenë 30 shtator 2025.
Akuza nga Përparim Rama
Pas votimit të buxhetit në fillim të muajit shkurt, Rama akuzoi Qeverinë se po e bllokon sërish Kryeqytetin, duke kërkuar që buxheti i Prishtinës të përfshihet në buxhetin e shtetit.
“Ky buxhet i miratuar i Kryeqytetit nuk është përfshirë në Projektligjin për Ndarjet Buxhetore pa arsyetim, pa asnjë bazë ligjore. Kjo nuk është neglizhencë administrative, kjo është cenim i drejtpërdrejtë i rendit kushtetues”, tha Rama.
Ai paralajmëroi se nëse buxheti nuk përfshihet në Projektligj, do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
“Ju kemi drejtuar edhe Ministrisë së Financave me kërkesë të qartë që të korrigjojë menjëherë këtë shkelje dhe të japë përgjigje brenda afatit ligjor. Nëse Ligji miratohet duke injoruar buxhetin e Kryeqytetit, atëherë ky ligj do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese”, tha Rama.
Debati për buxhetin e Prishtinës kalon në Kuvend
Debati u zgjerua edhe në Kuvendin e Kosovës, ku pas zgjedhjes së Qeverisë “Kurti 3”, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kërkuan përfshirjen e buxhetit të Prishtinës në Projektligj.
“Buxheti i Komunës së Prishtinës nuk është pjesë e këtij buxheti, andaj po i drejtohem ministrit të Financave që të bëhet pjesë e këtij buxheti”, tha Hamza.
“Për disa çështje teknike, nuk duhet që Prishtina të mbetet jashtë këtij buxheti, andaj hapeni sistemin dhe të bëhet pjesë e tij”, shtoi ai.
Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kërkoi përfshirjen e Prishtinës në buxhetin e vendit.
“Fjalën e kam për buxhetin e Kryeqytetit. Paradoksalisht, ky buxhet i Kosovës nuk e merr parasysh buxhetin e Kryeqytetit të vet. Është jashtëzakonisht shqetësuese që Kuvendit i sillet një dokument që nuk e respekton vendimmarrjen autonome të Kryeqytetit të vet dhe, së këndejmi, bëhet menjëherë jokushtetues”, potencoi ai.
Reagimi i ministrit të Financave
Nga ana tjetër, ministri i Financave, Hekuran Murati, ishte i drejtpërdrejtë dhe i dërgoi mesazh Ramës, duke i thënë se më mirë do të ishte të punonte dhe ta miratonte buxhetin me kohë, sesa të thërriste konferenca për media gjatë fundjavës. Ndonëse Rama deklaronte se përfshirja e buxhetit të Prishtinës në Projektligj ishte dërguar me kohë, dokumentet tregojnë se kjo ishte bërë vetëm më 18 shkurt, sipas shkresës së dërguar në Ministrinë e Financave.

Buxheti i Prishtinës përfshihet në projekt-buxhetin 2026
Megjithatë, Komisioni për Buxhet, më 19 shkurt 2026, me 10 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, e ka përfshirë buxhetin e Komunës së Prishtinës në Projektligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2026.
Çfarë pasoja do kishte mos-përfshirja e buxhetit të Prishtinës në Projektligjin për Ndarjet Buxhetore
Në lidhje me pasojat e mundshme nga mos-përfshirja e buxhetit të Prishtinës, ish-kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, paralajmëroi dëme të mëdha, duke përmendur projektet kapitale dhe Lojërat Mesdhetare 2030.
“Besoj që pajtohemi që më e mira që i ka ndodhë Kosovës në vitin 2026 është krijimi i institucioneve. Kam fjalën për Parlamentin dhe Qeverinë e Kosovës. Në këtë drejtim, besoj se është koha kur duhet të kemi një qasje gjithëpërfshirëse, bazuar në dialog të mirëfilltë”, tha ai.
“Në të kaluarën kemi pasur një varfëri të komunikimit apo dialogut mes nivelit qendror dhe lokal dhe kështu unë besoj se është koha që niveli lokal të trajtohet me një qasje më ndryshe nga niveli qendror. Është e vërtetë që buxheti është i vonuar, nuk ka pasur bisedime buxhetore që zakonisht fillojnë në mars të vitit kalendarik, ku prezantohen projektet dhe orientimet e këtyre buxheteve, por kjo ka munguar për shkak të ngërçit politik që ka kapluar Kosovën”, tha Gërxhaliu.
“Besoj se një ndër komunat më të ndëshkuara është Komuna e Prishtinës, e thënë këtë bazuar në faktin që është Kryeqyteti i Kosovës, një qytet i frekuentuar jo vetëm nga diplomatë, politikanë dhe gazetarë, por edhe nga qytetarë të shumtë, dhe kjo vonesë jep një shije jo të mirë, sepse pa marrë parasysh nëse është qasje institucionale apo procedurale, Kryeqyteti është duke u dëmtuar dhe ka pothuajse një tendencë politike”, tha ai.
“Në këtë drejtim, po e shihni që Prishtina nuk është ajo që e kemi dëshiruar. Ka projekte të filluara e të ndërprera. Prishtina është në një situatë kohore mjaft delikate, kur në vitin 2030 Kosova do t’i ketë Lojërat Mesdhetare dhe një dështim eventual do të jetë fiasko për Kosovën. Prandaj, procesi i buxhetit për Prishtinën duhet të depolitizohet”, përfundoi Gërxhaliu.
Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot (20 shkurt 2026) në ora 11:00, për miratimin e buxhetit për këtë vit, dhe fokusi padyshim që do të jetë edhe tek përfshirja e buxhetit të Prishtinës në të. /Telegrafi/