Akuza e Kurtit ndaj medieve për “luftë hibride” tendencë për t’i mbuluar skandalet e Qeverisë

08:08 | 04 December 2024
akuza-e-kurtit-ndaj-medieve-per-“lufte-hibride”-tendence-per-t’i-mbuluar-skandalet-e-qeverise

Viteve të fundit shumë herë është dëgjuar dhe lexuar fjala ‘’luftë hibride’’. Këtë term më së shumti kohës së fundit është përdorur nga kryeministri i vendit, Albin Kurti por edhe nga vartësit e tij, përfshirë ministra, deputetë, zëvendësministra e përkrahës të tij.

Por çka nënkupton lufta hibride, faktikisht dhe si bëhet ajo?

Lufta hibride është një koncept që përshkruan përdorimin e një kombinimi të metodave të ndryshme të luftës, duke përfshirë taktika tradicionale ushtarake dhe mjete të tjera jo-tradicionale, si propaganda, dezinformimi, ndikimi politik dhe teknologjik, sulme kibernetike, dhe shfrytëzim të grupeve të armatosura joformale ose të organizatave të tjera që veprojnë në emër të një shteti apo grupi të caktuar. Lufta hibride ka për qëllim të përfshijë një gamë të gjerë taktike për të krijuar pasiguri dhe për të arritur qëllime politike pa shpallur një luftë të hapur. Ajo ka elemente të luftës konvencionale, por edhe ato të luftës psikologjike dhe informacionit.

Kryeministri Kurti në vazhdimësi ka targetuar mediet dhe gazetarët kosovarë se po zhvillojnë luftë hibride, por kjo gjë nga njohësit e medias shihet ndryshe. Ata potencojnë se kritika mediale ndaj pushtetit, nuk përbën luftë hibride, por kritikë për përmirësimin e përgjithshëm në vend.

 

Deputeti i VV-së: Luftën hibride në Kosovë po e zhvillon Serbia, dikush i pavetëdijshëm mund të shfrytëzohet për qëllime të tilla

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani,për FrontOnline ka thënë se lufta hibride është një kërcënim gjithnjë e më i madh për Evropë, sidomos në vendet ku tradita demokratike nuk është e fortë dhe e stabilizuar, duke theksuar se këtë luftë në Kosovë po e bën Serbia.

Ai theksoi se ky fenomen përfshin fushata destabilizuese, të cilat përmes dezinformatave mediatike, sulmeve kibernetike, shkaktimit të pasigurisë, polarizimit dhe trazirave, dëmtojnë shoqërinë dhe rendin civil.

‘’Luftë hibride ka ne krejt kontinentin evropian, e sidomos ne vendet ku tradita demokratike nuk është e stabilizuar. Lufta hibride përfshin fushatat destabilizuese përmes deinformatave mediatike, sulmeve kibernetike, shkaktimit te pasigurisë, polarizimit, dhe trazirave. Përfshin edhe veprime kundër infrastrukturës jetike, apo kundër rendit civil. Këto prej një kohe janë intensifikuar edhe ne Kosove, por edhe ne disa vende pranë nesh’’

Sipas tij, faktorët e interesuar për këtë luftë, është Serbia që ka synim rikthimin në Kosovë.

‘’Faktorë te interesuar janë Serbia, që ka synim direkt rikthimin ne Kosovë, por edhe vende si Rusia, Irani, apo edhe vende si këto. Ato veprojnë me shërbime sekrete, por mund te shfrytëzojnë edhe kapital financiar për te ndikuar opinionin, përmes disa bizneseve, disa mediave, rrjeteve sociale, etj’’ shprehet ai.

Deputet i iVV-së, thotë se për t’u mbrojtur nga kjo luftë duhet të jemi të bashkuar për rreth republikës.

‘’Mund te përhapin midis shoqërisë tone cinizëm, relativizëm, nihilizëm, mosbesim të njëri-tjetri, armiqësi, dëshpërim dhe stres të tepruar. Dikush edhe pa qenë i vetëdijshëm mund të shfrytëzohet për qëllime të tilla. Prandaj e vetmja mënyre për t’u mbrojtur është që për çështjet kombëtare të gjithë te bëhemi bashkë në mbrojtje të Republikës, Demokracisë dhe lirive tona’’, shtoj ai.

 

Isak Shabani: Kryeministri akuzon mediat për luftë hibride, por ato kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës,Isak Shabani, i cili është edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Media, për FrontOnline, ka kritikuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti për mediat, pas incidenteve terroriste që ndodhën në veri të Kosovës.

Sipas Shabanit, Kurti ka sulmuar mediat duke i akuzuar ato për një “luftë hibride” kundër qeverisë, duke i etiketuar si shërbëtorë të Serbisë.

‘Kryeministri, edhe menjëherë pas rasteve terroriste në veri, sulmon mediat dhe flet për luftën hibride që, sipas tij, po bëjnë ato kundër qeverisë. Me pak fjalë, i akuzon se janë në shërbim të Serbisë’’ thotë ai.

Shabani tha se kryeministri dhe Qeveria e tij po tentojnë të shpërqendrojnë vëmendjen nga çështjet e brendshme, duke i akuzuar mediat për veprime të dëmshme, ndërkohë që ato po raportojnë për shkelje të rëndësishme, siç janë afera korruptive, vjedhjet në ministri, dhënia e kontratave me burim të vetëm, si dhe skandalet lidhur me rezervat shtetërore dhe punësimet e dyshimta.

‘’Pse? Sepse mediat raportojnë për afera korruptive, vjedhje në ministri, 2,123 kontrata me burim të vetëm, për vjedhjen e miellit dhe vajit nga rezervat shtetërore, për dhënien e subvencioneve familjarëve dhe aktivistëve të VV-së, punësimet familjare, deri te kunatat, e kështu me radhë’’ thekson ai.

Deputeti i PDK-së, tha se mediat nuk po zhvillojnë luftë hibride, por po kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie.

‘’Nuk ka lufte hibride nga mediat por ka media qe kerkojne transparence dhe llogaridhenie’’ u shpreh deputeti Shabani.

 

Zeneli: Serbia po bën luftë hibride, kritika e mediave dhe gazetarëve ndaj Qeverisë nuk është luftë hibride

Profesori i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës dhe njohësi i mediave, Alban Zeneli, për FrontOnline, ka folur për ndikimin e luftës hibride në Kosovë, duke theksuar rolin e informacionit dhe dezinformimit në këtë kontekst.

Sipas Zenelit, termi “luftë hibride” i referohet një strategjie ku një shtet apo territor tenton të sulmojë një vend tjetër jo përmes forcës ushtarake, por përmes ndërhyrjes në sistemet shtetërore, shpërndarjes së informacionit dhe manipulimit të medias, kryesisht në mjedisin digjital.

‘’Termi luftë hibride, është kur një vend, kur një territor i caktuar tenton me sulmuar me një vend tjetër, përmes formave alternative, jo përmes ushtrisë, por duke ndërhyrë në sisteme shtetërore duke shpërndarë informacionin dhe përmes shpërndarjes së informacionit. Kjo është tipike kur shpërndahen dezinformata në raport me ambientin medial, në të cilin qëndron ajo shoqëri, krysisht në mjedisin digjital’’ thotë ai.

Zeneli ka theksuar se Serbia është një aktor kryesor në realizimin e luftës hibride në Kosovë, duke përdorur dezinformatat për të krijuar pasiguri dhe për të minuar besimin në institucionet e Kosovës.

‘’ Në Kosovë, Serbia bën luftë hibride dhe këtë nuk e mohon askush, por në tënjëjtën kohë, politikanët në Kosovë duke dashur me iu shmangë përgjegjësisë publike që kanë, i fajësojnë mediat dhe gazetarët që janë kritik në raport me ta’’ thekson ai.

Ai ka sqaruar se ndërhyrjet e Serbisë nuk bëhen përmes mediave tradicionale, por kryesisht përmes mediave sociale, ku shpërndahen lajme të rreme që përpiqen të dezinformojnë dhe manipulojnë serbët lokalë në Kosovë.

‘’ Kritika ndaj Qeverisë as më herët dhe as tash nuk ka qenë luftë hibride, sepse kritika ka për qëllim përmirësimin e shoqërisë, mirë po nëse flasim për mënyrën se si Serbia ndërhynë në sistemin e informacionit në Kosovë, jo përmes mediave kryesore por përmes mediave sociale, për shpërndarjen e dezinformatave, kjo është çështje që mund të vërtetohet lehtësisht, por është çështje, që duhet diskutim në shoqërinë tonë, por për bindjen time diskutimi është shtruar gabimisht dhe është shtruar me idenë për uljen e kredibiliteti të medias dhe kritikës së mediave ndaj Qeverisë dhe jo vetëm ndaj saj’’ potencon ai.

Zeneli ka përmendur gjithashtu strukturat e armatosura që Serbia ka të instaluara në Kosovë, siç janë Brigada Veriut dhe Mbrojtja Civile, të cilat Kosova i ka shpallur grupe terroriste.

Ai ka theksuar se ndërhyrjet e Serbisë, si shpërthimi në Ibër-Lepenc dhe incidentet në Bankës, janë pjesë e taktikave të luftës hibride, të cilat përdoren për të krijuar destabilitet dhe për të ndërhyrë në proceset e brendshme të Kosovës.

‘’Prandaj duke u nisur nga kjo Serbia në Kosovë bën luftë hibride me vetë faktin që ka struktura të cilat Kosova i ka shpallur terrosite siç është Brigada Veriut dhe Mbrojtja Civile, por jo vetëm këto të dyja, por edhe rasti i ndërhyrjes në Banjksë por edhe shpërthimi në Ibër-Lepenc, janë taktika të luftës hibride’’ shprehet prfoesori i gazetarisë.

 

Demhasaj: Luftën hibride po e bën kryeministri me militantët e tij dhe jo mediet

Analisti politik Arton Demahasaj, për FrontOnline, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti dhe Qeverinë e tij për përfshirjen në një luftë hibride.

Sipas Demahasajt, ky veprim po realizohet jo vetëm nga Kurti, por edhe nga pjesëtarët e partisë së tij, veçanërisht deputetët, ministrat dhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje.

”Luftën hibride është duke e bërë vetë kryeministri Albin Kurti me krejt Qeverinë e tij e po ashtu edhe me një pjesë të madhe edhe me të partisë së tij politike. Nëse e shohim, statuset që shpërndahen nga kryeministri dhe pastaj bombardohen nga gjithë deputetët, ministra e aktivistë të VV-së, atëherë po shihet se kush po bën luftën hibride’’ thotë ai.

Demhasaj, potencon se mediat janë duke e kryer punën e tyre dhe se nuk janë duke zhvilluar luftë hibride.

‘’ Mediat janë duke e kryer punën e tyre sic e kanë kry gjithmonë. Mediat po raportojnë për secilën ngjarje në mënyrën e duhur, dhe ato s’po bëjnë luftën hibride’’ thotë ai.

Në këtë kontekst, analisti theksoi se po bëhet përpjekje për të mbuluar dështimet e Qeverisë dhe të Kryeministrit, duke u munduar që këtë luftë hibride t’ia ngarkojnë të tjerëve.

‘’Këtë luftë po e bën vetë kryeministri me militantët e tij për shkak të dështimeve të tyre dhe po mundohen që këtë dështim ta mbulojnë pikërisht me këtë luftë hibride e po mundohen me ia mveshë të tjerëve’’ u shpreh analisti Demhasaj për FrontOnline.

Komento: