Akuza ndaj opozitës dhe pretendime për ‘shtrim sovraniteti’: VV-ja s’u prezanton program as qytetarëve të Vushtrrisë

22:08 | 20 January 2025
akuza-ndaj-opozites-dhe-pretendime-per-‘shtrim-sovraniteti’:-vv-ja-s’u-prezanton-program-as-qytetareve-te-vushtrrise

Ndërsa Kosova i afrohet datës 9 shkurt, zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje po i shtojnë gjithnjë e më shumë sulmet ndaj opozitës. Në një tubim elektoral të mbajtur në Vushtrri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdoi me një diskurs të ashpër ndaj partive opozitare, duke i akuzuar ato për bashkëpunim me grupe kriminale në veri të vendit, teksa edhe qytetarët e Vushtrrisë s’e dëgjuan shpalosjen e një plani të vetëm për katër vitet e ardhshme.

Gjatë fjalimit, Kurti vuri theksin në krahasimet mes qeverisjes së tij dhe atyre të mëparshme, duke e prezantuar qeverinë aktuale si garantuese të sovranitetit të Kosovës në veri.

Megjithatë, kreu aktual i qeverisë u kufizua kryesisht në këtë aspekt, ndërsa nuk e tentoi asnjë krahasim tjetër me opozitën në fusha të tjera, si zhvillimi ekonomik apo mirëqenia sociale e qytetarëve.

“Në veri të vendit, ato partitë e vjetra të ish-qeverive dërgonin banda kriminale e kontrabandistë, e bënin pazare të ulëta në kurriz të Kosovës. Ndërkaq ne dërgojmë zhvillim, investim dhe siguri. Me qeverinë tonë, Kosova si Republikë e ka mbrojtur dhe e ka integruar çdo pëllëmb të territorit. Sot, kushdo mund të shkojë, kurdo përtej Ibrit e të pij kafe atje. Kushdo mund të shkoj atje e të filloj të investoj.” – tha Kurti.

Kurti veproi ngjashëm edhe në tubimin e para një ditë në Ferizaj duke ia kushtuar pjesën më të madhe të fjalimit sulmeve ndaj opozitës, duke i përshkruar LDK-në dhe PDK-në si “të ngjashme”.

“Këta të LDK-së, janë bë si PDK-ja, pare edhe reklamë, e kundërta e Rugovës. E këta të PDK-së janë bë si LDK-ja, pacifista edhe të hutuem e kundërta e UÇK-së.” – tha ai mes tjerash.

Narrativës së Kurtit për ‘shtrim sovraniteti’ e lidhjes së opozitës me strukturat paralele iu bashkua në çdo paraqitje deri më tash edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Në një fjalim të mbushur me akuza të ashpra, ai i portretizoi opozitarët si bashkëpunëtorë të strukturave paralele serbe.

“Qeverisjet e kaluara u bënë bashkë me Listën Serbe dhe e lanë veriun me struktura e institucione të fuqishme, paralele, kriminale të Serbië. Grupe kriminale e terroriste që financoheshin nga Serbia, banka e posta të Serbisë, targa e dokumente ilegale, kamera e alarme të strukturave paralele, laboratorë droge e të kriptovaulutave, shumë depo me armatim ilegal e rrugë ilegale për zhvillimin e kontrabandës.” – deklaroi ai.

Ai pretendoi se tashmë në veri ekziston një prani e plotë e policisë dhe institucioneve të Kosovës, duke e përshkruar këtë si një “fitore të qartë” kundër Serbisë.

“Me qeverisjen tonë, në krye me Albin Kurtin, me vizion, guxim e profesionalizëm, me moral të lartë e dashuri për çdo cep të vendit tonë, ne e shpartalluam Serbinë brenda vendit tonë dhe çrrenjosem çdo element, çdo ekstremist, çdo terrorist që cënonin Republikën e Kosovës.

Pavarësisisht çdo pengese nga Serbia e bashkëpuntorët e tyre, ne nuk jemi ndalur e sot jemi fitimtarë. Sot, në Kosovë, nuk ka Serbi. Me ne, në Kosovë, nuk do të ketë asnjëherë Serbi. Me ka polici në çdo cep të Kosovës e në çdo milimetër të veriut të vendit.” – tha Sveçla.

Komento: