Akuzat e rënda të Kurtit ndaj mediave, pa asnjë fakt: Reagime nga të gjitha anët

10:25 | 03 Prill 2026
akuzat-e-renda-te-kurtit-ndaj-mediave,-pa-asnje-fakt:-reagime-nga-te-gjitha-anet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u lëshua dje në akuza të rënda ndaj mediave. Pa asnjë fakt të vetëm.

Kurti akuzoi mediat se po ia bëjnë argatin Serbisë.

“Nëse shteti duhet të jetë i drejtë në ekonomi, duhet të jetë po aq i drejtë në hapësirën publike. Këtu hyn në tjetër çështje që nuk mund të anashkalohet. Mediat. Një demokraci jeton nga fjala e thënë. Kjo duhet të jetë e lirë për të qenë e vlefshme. Fjala nuk mund të jetë e lirë nëse është e kapur nga interesa të fshehta. Raportimet për thasë parash janë kërcënim për integritetin e debatit publik. Sepse kur paraja hyn në mënyrë të padukshme, ajo blen ndikim, orienton narrativen, deformon perceptimin e qytetarit”, u shpreh Kurti.

Ai tha se në Kosovë ka persona që po ia bëjnë argatin Serbisë.

“Një qytetar i dezinformuar nuk është i lirë, është i manipuluar. Ky manipulim po vjen nga armiqtë tanë, dhe po gjejnë argatin e tyre brenda vendit tonë. Ne nuk kemi asnjë interes të kufizojmë mediat. Por pavarësia nuk mund të ndërtohet mbi fshehtësi që financojnë shpifjen dhe dezinformimin, liria editoriale është e garantuar, por duhet të jetë me transparencë të financimit.Kush flet, nga kush financohet, me çfarë burime flet. Nëse secili biznes jep përgjegjësi për financat, mediat duhet të jenë në të njëjtin nivel të përgjegjësisë. Nëse në diktatura kontrollohen rezultatet, sot nga oligarkia ka rrezik të kontrollohen premisat. Grupet e interesit nuk e prekin lirinë e shprehjes, ato kontrollojnë ekonominë e medias”, tha Kurti më tutje.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti pas sulmeve të tij ndaj mediave.

Në një shkrim në Facebook, Çitaku ka thënë se një njeri që ka pasur pothuajse pushtet absolut për gati gjashtë vite, po hedh akuza të rënda ndaj mediave.

“Kjo është përpjekje për të hedhur mjegull dhe për të shmangur përgjegjësinë.

Kush ka marrë para nga Serbia, Albin? Kush? Nxirr emrat. Nxirr faktet.

Mjaft më me sulme dhe etiketime të pabazuara kundër mediave të lira.

Një njeri që mban në pushtet Martin Berishajn, për të cilin janë publikuar fakte për afera milionëshe me GEN-in serb, dhe vazhdon ta mbajë ambasador, nuk ka as kredibilitet moral dhe as të drejtë të sulmojë të tjerët.

Ndërkohë, atij që përhap narracione të UDB-së për masakrën e Dubravës, i financohen botime dhe i promovohen nëpër sheshe e ambasada”, ka shkruar ajo.

Në fund, Çitaku ka thënë “Boll më”.

Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka reaguar rreth sulmeve ndaj mediave që i bëri Albin Kurti.

Gjini ka thënë se Kurti është ai që ‘’mashtron publikun çdo ditë të lume, që nuk ndalet së prodhuari lajme të rreme dhe së atakuari fjalën e lirë dhe të drejtë’’.

“Fjalë të tij janë pikërisht veprimet e tij. I akuzon tjerët për ato që i bën vet. E vartësit e tij si lloji i Gërvalles, Haxhiut e tjerët, edhepse e dinë krejt të vërtetën, nuk skuqen aspak. Krejt të njejtë janë. Mashtrues që me para të vjedhura paguajnë zagarë që ta manipulojnë qytetarin e varfër, ta fyejnë krejt çka është e jona, e pastaj të vazhdojnë tutje ta rjepin qytetarin që mezi mbijeton”, ka shkruar Gjini.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar ashpër deklaratat e Albin Kurtit ndaj mediave dhe gazetarëve.

Kurti, nga foltorja e Kuvendit, paralajmëroi për “hyrjen e parave në mënyrë të padukshme” dhe tha se dezinformimi “vjen direkt nga armiqtë”, me “argatë brenda vendit”.

AGK e cilësoi këtë gjuhë si nxitëse dhe stigmatizuese, duke theksuar se etiketime të tilla rrezikojnë lirinë e medias.

Sipas tyre, kjo retorikë është pjesë e një fushate të vazhdueshme kundër raportimit të pavarur.

Organizata i bëri thirrje Qeverisë të ndalë presionin ndaj Radio Televizioni i Kosovës dhe të garantojë transparencë ligjore.

Komento: