Akuzat e VV-së ndaj opozitës/ Pantina: Shqetësuese, partitë të tilla mund të krijojnë shtet totalitar

20:13 | 20 Dhjetor 2023
akuzat-e-vv-se-ndaj-opozites/-pantina:-shqetesuese,-partite-te-tilla-mund-te-krijojne-shtet-totalitar

Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar partitë opozitare se për çdo ligj po fshihen pas Gjykatës Kushtetuese, duke i dërguar atje këto ligje të cilat ata nuk i votojnë e i kundërshtojnë.

Lidhur me këtë, Shqipe Pantina nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë për Gazeta Blic se është shqetësuese që partia në pushtet hedh akuza ndaj opozitës.

“Është tejet shqetësuese kur një parti politike, e aq më keq një parti që është në pushtet me mbi 50 % të votave akuzon partitë e opozitës, dhe jo vetëm, pse kërkojnë të sigurohen se ligjet që kalojnë në Kuvend janë në përputhje me Kushtetutën”, thotë ajo.

Pantina e sheh të dëmshme një qasje të tillë për demokracinë dhe rendin kushtetues në vend dhe se këto parti janë të prira të krijojnë shtet totalitar.

“Një qasje e tillë është e dëmshme për demokracinë dhe rendin kushtetues në vend. Partitë që i frikësohen gjyqësorit dhe duan ta kufizojnë rolin e tij, kanë prirje për të krijuar shtet totalitar”, deklaron Shqipe Pantina.

Komento: