
Shefja e stafit të presidentes Vjosa Osmani, Learta Hollaj, i është përgjigjur akuzave të sotme pas dekretit të nxjerrë për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Hollaj tha se e para e shtetit e ka zbatuar atë që kërkohet nga Kushtetuta, e jo dëshirën e saj – sepse në të kundërtën do të bënte shkelje kushtetuese.
Deklarimet e sotme ndaj saj, ajo i ka quajtur turp për ata që nuk pranojnë interpretime ndryshe.
“Presidentja zbatoi atë që Kushtetuta kërkon. Pra, kreu një detyrim kushtetues e jo një dëshirë. Ajo do ta shkelte Kushtetutën sikur mos ta nxirrte një dekret të tillë.
Ta akuzosh atë për verbërim pushteti, monarki, arbitraritet e lloj-lloj fyerjesh që është turp t’i përmendim këtu, tregon se nuk keni as tolerancë minimale për njerëzit që thjesht mund të kenë interpretim ndryshe të Kushtetutës nga ai i juaji. Presidentja vetë ka thënë se e mirëpret dërgimin e këtij dekreti në Gjykatën Kushtetuese dhe se çfarëdo vendimi do ta respektojë.
Në një republikë, zelli për Kushtetutën është detyrë, jo ambicie.”