Akuzat për performancë të dobët, vjen reagimi i AKP-së ndaj Kusari-Lilës.
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka reaguar pas deklaratave të dshefes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lilëa, e cila dje pas mbledhjes së Komisionit për Ekonomi ka bërë të ditur se kanë rekomanduar që të mos miratohet raporti i punës së AKP-së dhe të shkarkohet Bordi i AKP-së për shkak të performancës së dobët.
Përmes një komunikate për media, Bordi i AKP-së i ka ftuar publikisht Kusari-Lilën dhe deputetët e VV’së që janë pjesë e komisionit, që ta bëjnë publike se cila pjesë konkrete e Raportit Vjetor të punës arsyeton qëndrimin e tyre për mungesë të performancës së Agjencisë.
“Bordi i AKP-së konstaton se deklaratat publike në lidhje me performancë të dobët, janë të pabazuara dhe tendencioze, dhe qëndrime politike të vetëm një grupi parlamentar”, thuhet në reagimin e AKP’së.
Reagimi i plotë i Bordit të AKP-së:
Dje Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, përmes mediave te shkruara dhe elektronike është njoftuar se ushtruesja e detyrës së Kryetarit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje znj. Mimoza Kusari-Lila, pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, në emër të këtij grupi në një konferencë të mbajtur për media ka deklaruar se: “..po e bëjmë publike se sot në Komisionin për Ekonomi, GP i LVV ka rekomanduar që mos të mbështetet dhe miratohet Raporti i punës së AKP-së, dhe i kemi rekomanduar seancës plenare shkarkimin e Bordi të AKP-së. Ky rekomandim i GP të LVV është miratuar dhe i është përcjell seancës së Kuvendit të Kosovës, e me këtë kemi hapur rrugë për qeverinë që të propozoj Bord të ri.”. Arsyetimin e kësaj vendimmarrje të GP të LVV, znj. Kusari-Lila, e bazon kinse në performancën e dobët të Agjencisë për vitin 2020.
Bordi i AKP njofton opinionin publik se ndër pikat e rendit të ditës së mbledhjes së djeshme të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ka qenë edhe raportimi lidhur me Raportin Vjetor të Punës së AKP për vitin 2020. Në pajtim me procedurat dhe afatet e përcaktuara ligjore Agjencia ka dorëzuar këtë raport në Kuvend, dhe i jemi përgjigjur ftesës së Komisionit për t’u përgjigjur interesimit të tyre në lidhje me ato që kanë qenë të prezantuara në Raport.
Bordi i AKP-së, konstaton se deklaratat publike në lidhje me performancë të dobët, janë të pabazuara dhe tendencioze, andaj si të tilla i konsiderojmë qëndrime politike të vetëm një grupi parlamentar, ashtu siç edhe u shfaqen në atë konferencë për media.
Bordi e fton publikisht znj. Mimoza Kusari-Lila dhe gjithë deputetët e GP të LVV brenda Komisionit, që të bëjnë publike se cila pjesë konkrete e Raportit Vjetor të punës arsyeton qëndrimin e tyre për mungesë të performancës së Agjencisë.
Është për keqardhje që në mungesë të fakteve dhe argumenteve për vlerësim profesional të Raportit Vjetor, deputetët e një grupi parlamentar përdorin argumente politike të çuditshme, të përgjithësuara dhe të pakuptueshme për ne dhe opinionin publik, duke tentuar që të njollosin punën me përkushtim të gjithë stafit të Agjencisë, e cila është zhvilluar në rrethana jo të lehta të cilat e kanë karakterizuar vitin 2020.
Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti, mbajnë përgjegjësi për secilin veprim dhe aktivitet të paraqitur në Raportin Vjetor për vitin 2020, dhe me përgjegjësi morale dhe ligjore theksojmë se edhe përkundër rrethanave të rënda që vendi ka kaluar si pasojë edhe e pandemisë Covid-19, gjatë vitit 2020 Agjencia ka bërë performancën më të mirë të mundshme konform atyre rrethanave.
Të vetmit tregues negativë, e të cilët nuk janë fshehur, por janë pasqyruar edhe në Raportin Vjetor, janë rënia e të hyrave si pasojë e Vendimit të Qeverisë Nr.02/15 i datës 23.03.2020 dhe Vendimi i Qeverisë Nr.07/09 i datës 01.07.2020 për pezullim e të gjitha veprimeve në lidhje me pronat që ka në administrim dhe pezullimin e gjitha valëve të shitjes, të cilat vazhdojnë të jenë në fuqi edhe në ditën e sotme. Andaj nëse për ushtruesen e detyrës së Kryetarit të GP të LVV, kjo quhet performancë e dobët e AKP-së, atëherë Bordi e fton atë që me guximin e saj politik dhe profesional, ketë përgjegjësi ta kërkoj aty ku edhe e ka burimin faktik dhe ligjor.