Akuzohet për marrje në pyetje dhe keqtrajtime në fabrikën e Kukësit, Pjetër Shala më 19 prill del para Gjykatës

23:52 | 15 Prill 2021

Pjetër Shala më 19 prill del para Gjykatës, akuzohet për marrje në pyetje dhe keqtrajtime në fabrikën e Kukësit.

Më 19 prill 2021, në orën 15:00, në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (“DHSK”) në Hagë do të mbahet paraqitja e parë e Pjetër Shalës.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestimit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

“Në aktakuzën e konfirmuar z. Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt. Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Versioni i redaktuar publik i aktakuzës së konfirmuar mund të lexohet këtu“, thuhet në njoftimin e tyre.

Paraqitja e parë e Pjetër Shala do të mbahet në seancë publike.
Gjatë paraqitjes së parë, Gjykatësi i Procedurës Paraprake siguron respektimin e të drejtave të të akuzuarit, përfshirë të drejtën për përfaqësim ligjor dhe se i akuzuari i kupton akuzat kundër tij ose saj.

Komento: