Al Khelaifi nuk e do më, kjo është kërkesa e tij urgjente për Mbappen

23:20 | 23 July 2023

Presidenti i PSG-së kontakton Mbappen, i kërkon që të shqyrtojë ofertat e largimit

Presidenti i Paris Saint-Germainit, Nasser Al Khelaifi, raportohet se po inkurajon Kylian Mbappen të shqyrtojë ofertat këtë verë.

E ardhmja e yllit francez vazhdon të jetë e paqartë dhe në qendër të vëmendjes.

Mbappe së fundmi u la jashtë ekipit për turneun para-sezonal të PSG-së në Japoni dhe Korenë e Jugut.

Pozicioni i klubit është i qartë: sulmues të zgjasë edhe për një vit kontratën e tij ose të shitet këtë verë.

24-vjeçari me parisienët ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2024, teksa synimi i tij është të mbetet në “Parc des Princes” deri në fund të kontratës.

Por, natyrisht se kjo nuk i konvenon kampionëve të Francës, pasi do ta humbnin Mbappen falas vitin e ardhshëm.

PSG-ja e konsideron tashmë në shitje Mbappen, për të cilin interesim nuk ka se si të mungojë.

Mediat franceze raportuan për një interesim të Chelseat, si dhe nga Arabia Saudite – teksa Real Madridi besohet se do të jetë destinacioni i ardhshëm i reprezentuesit të Francës.

Sipas “Le Parisien”, Al Khelaifi për këtë arsye ka kontaktuar Mbappen për ta inkurajuar atë të dëgjojë ofertat që do të mbërrijnë në adresën e tij.

Mbetet të shihet në vazhdim se si do të rrjedh çështja e ish-sulmuesit të Monacos.

Komento: