Alarm në Kili: Dhjetëra raste me Hantavirus, frikë për përhapjen e virusit vdekjeprurës

09:10 | 30 Korrik 2026
alarm-ne-kili:-dhjetera-raste-me-hantavirus,-frike-per-perhapjen-e-virusit-vdekjeprures

Qeveria e Kilit ka shpallur alarm shëndetësor mbarëkombëtar për shkak të përhapjes së hantavirusit, një sëmundje me shkallë të lartë vdekshmërie, ndërsa masat e jashtëzakonshme do të mbeten në fuqi deri më 31 korrik 2027.

Ministria e Shëndetësisë e Kilit njoftoi se vendimi është marrë pas rritjes shqetësuese të rasteve dhe viktimave gjatë këtij viti. Sipas të dhënave zyrtare, deri javën e kaluar janë konfirmuar 46 raste me hantavirus, ndërsa 18 persona kanë humbur jetën. Shkalla e vdekshmërisë është rritur nga 18% në 39% brenda vetëm një viti.

Rastet janë identifikuar në rajonet Valparaíso, Metropolitan, O’Higgins, Maule, Ñuble, Biobío, Araucanía, Los Ríos, Los Lagos dhe Aysén.

Hantavirusi transmetohet kryesisht përmes thithjes së grimcave të ajrit të kontaminuara nga jashtëqitjet e thata të brejtësve të infektuar. Në raste më të rralla, infeksioni mund të ndodhë edhe nga pickimet ose gërvishtjet e tyre. Virusi prek kryesisht mushkëritë dhe mund të shkaktojë komplikacione të rënda, shpesh fatale.

Sipas medias spanjolle InfoBae, kjo është hera e parë në historinë e Kilit që Ministria e Shëndetësisë shpall alarm shëndetësor në 13 nga 16 rajonet e vendit. Masa përfshin territorin nga Atacama deri në Magallanes.

Zëvendësministrja e Shëndetit Publik, Alejandra Pizarro, deklaroi se hantavirusi është një sëmundje endemike në Kili dhe transmetohet nga një lloj brejtësi që jeton në zonat rurale dhe gjysmë-rurale.

“Po monitorojmë vazhdimisht përhapjen e virusit dhe jemi veçanërisht të shqetësuar, pasi shkalla e vdekshmërisë është rritur ndjeshëm këtë vit. Për këtë arsye kemi vendosur të shpallim alarm shëndetësor,” u shpreh ajo.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin kontaktin me brejtësit, të ajrosin banesat e mbyllura për periudha të gjata, të pastrojnë ambientet e papërdorura me ujë dhe zbardhues, si dhe të ruajnë ushqimet dhe mbeturinat në mënyrë të sigurt për të parandaluar përhapjen e virusit.

Hantavirusi tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare edhe në muajin maj, kur në anijen turistike MV Hondius u konfirmuan të paktën 11 raste infektimi, ndërsa tre persona humbën jetën. Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerësoi se shpërthimi nuk pritej të shndërrohej në një epidemi të gjerë.

Alarmi i shpallur nga autoritetet kiliane synon të forcojë masat parandaluese dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për një virus që vazhdon të konsiderohet një nga sëmundjet më të rrezikshme zoonotike në vend.

Komento: