Alarmante / 11 vetëvrasje për më pak se 5 muaj

13:14 | 26 Maj 2024
alarmante-/-11-vetevrasje-per-me-pak-se-5-muaj

Për më pakë se pesë muaj 11 qytetarë i kanë dhënë fund jetës në Kosovë duke kryer vetëvrasje në forma të ndryshme.

Për më pakë se dy javë në Kosovë kanë ndodhur dy ngjarje tragjike. Një person i moshës 38 vjeçar në Çagllavicë ka kryer vetëvrasje, ku sipas dyshimeve të para të Policisë ai ka qenë nën presionin e fajdexhinjve, ndërsa rasti tjetër ndodhi në Gjilan ku një zyrtare policore rreth 46 vjeçare ka kryer vetëvrasje, e ku sipas Policisë motivet nuk dihen akoma, raporton Front Online.

Shifrat në rritje të vetëvrasjeve në vendin tonë  kanë alarmuar edhe profesionistet e fushës. Sipas tyre, Institucionet duhet të punojnë shumë më shumë në ruajtjen e shëndetit mendor të qytetareve të saj.

Gollopeni: Shumë pakë po punohet në ruajtjen e shëndetit mendor

Në anën tjetër psikologu kosovar Memi Gollopeni në një prononcim për Front Online tregon se në Kosovë po punohet shumë pakë në ruajtjen e shëndetit mendor.

Madje sipas tij, njëri prej shkaktarëve të kryerjeve të vetëvrasjeve është mungesa e trajtimeve të duhura.

“Shumë pak punohet në ruajtjen e shëndetit mendor dhe rastet që kanë përfunduar me fatalitet janë krejt për shkak të mungesës së duhur të trajtimit të atyre personave”, theksoi ai.

Ai më tutje ka përmendur edhe disa faktorë, të cilët ndikojnë te personat që kanë kryer vetëvrasje.

“Ka disa faktorë që gërshetohen deri tek vetëvrasja e ato janë: Kushtet e dobëta ekonomike, pritshmëritë e larta jo në përputhje me realitetin, mos arritje e qëllimeve në jetë, mos të qenit të kënaqur me atë që kemi, e shumë faktor të tjerë”, deklaron ai.

Këto janë shkaqet e vetëvrasjeve sipas sociologut Kamberi

E, sipas sociologut, njëri ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në vetëvrasje janë faktorët socio-ekonomik.

Kështu po thotë për Front Online Ferdi Kamberi, sociolog.

“Sa i përket shkaqeve, sociologët janë të mendimit se ndër shkaqet kryesore janë: periudha e tej zgjatur e tranzicionit, pastaj presioni shoqëror në një pjesë të rasteve. Po ashtu, shkaqe të tjera, janë edhe mungesa e qendrave për trajtimit shpirtërorë, stresi post-traumatik, depresioni, tashmë edhe periudha e COVID 19, faktorët socio – ekonomik, gjendja e rëndë ekonomike, papunësia dhe varfëria e lartë”, u shpreh Kamberi.

Sipas tij, nëse vazhdon ky trend i vetëvrasjeve Kosova mund të ketë probleme dhe sfida të konsiderueshme.

“Sociologët japin alarmin që nëse vazhdohet ky trend i rritjes së fenomenit të vetëvrasjes, atëherë shoqëria kosovare mund të përballet me probleme dhe sfida të konsiderueshme”, deklaron Kamberi. / Front Online /

 

 

 

Komento: