Kosova po përballet me numër të madh të vdekjeve nga koronavirusi.
Mbi 487 persona kanë vdekur dhe mijëra të tjerë janë infektuar me koronavirus, prej kur në Kosovë ka nisur një valë e re e pandemisë para një muaji.
Me më pak se 20 për qind të popullësisë së vaksinuar, Kosova mbetet një nga vendet me shkallën më të ulët të imunizimit në Evropë.
Në infografikën e REL-it, tregohen numri i rasteve të vdekjeve dhe numri rasteve të reja pozitive nga 10 gushti e deri më 10 shtator. Të dhënat janë marrë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.
Përderisa më 10 gusht, ishin regjistruar dy raste të vdekjes, dje janë regjistruar 30.
Ndryshe, Kryeministri Albin Kurti ia ka lënë fajin Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, për situatën e rënduar me COVID-19 gjatë muajve të fundit.
Përmes një video që e ka publikuar në llogarinë e tij në Facebook, Kurti ka thënë se kanë vepruar në përputhje me rekomandimet e IKSHP’së.
Ai ka deklaruar se në qershor e korrik s’kanë marrë masa, meqenëse numrat ishin tejet të ulët.
“Sot mund të duket sikur mund të bënim më shumë gjatë muajve qershor dhe korrik, por gjendja atëherë ishte krejt ndryshe. Po të merrnim masa ekstreme të kufizimit kur numrat ishin tejet të ulët do të ishte mbi e tej reagim. Edhe atëherë, edhe sot, ne kemi vepruar në përputhje me rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe me situatën në terren ku numri i rasteve të reja ishte shumë i iulët deri në fillim të muajit gusht e madje gjatë tërë dhjetë ditëshit të parë”, ka thënë Kurti.
Tutje, ka thënë se si Qeveri e marrin përgjegjësinë që iu takon dhe se janë në krye të detyrës me përkushtimin më të madh.
“Për shembull më 8 gusht nuk kishim asnjë të vdekur, më 13 gusht vetëm një të vdekur, kurse më 28 gusht, pra 15 ditë më vonë, 36 të vdekur. Rritja ishte e befasishme, e paparashikuar. Ekspertët e prisnin një valë të variantit delta, por jo aq herët e as me rritje aq të shpejtë. Ne morëm masa, dhe po veprojmë në kohë reale. Si qeveri çdoherë marrim përgjegjësinë që na takon dhe jemi në krye të detyrës. Këtë po e bejmë përditë me përkushtimin më të madh”, shtoi Kurt