Alarmante: Koronavirusi ua merr jetën 49 veta për 24 orë në këtë shtet

14:36 | 08 March 2020

Koronavirusi ua merr jetën 49 veta për 24 orë në Iran.

Ministria e Shëndetësisë në Iran i ka raportuar 49 vdekje të reja në 24 orët e fundit, duke e çuar në 194 numrin e përgjithshëm të viktimave të koronavirusit.

Zëdhënësi i kësaj ministrie, Kianoush Jahanpour, tha të dielën se në Iran tashmë janë konfirmuar më shumë se 6500 raste të personave të infektuar.

Vetëm në kryeqytetin e republikës islamike, në Teheran, janë shënuar 1800 raste, ndërsa koronavirusi është përhapur në të gjitha 31 provincat e Iranit.

Ai kërkoi nga qytetarët që t’i shmangin udhëtimet dhe të qëndrojnë në shtëpi sa më shumë që kanë mundësi, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.

Në Iran së shpejti do të shënohet Viti i Ri Pers, kur miliona iranianë tradicionalisht udhëtojnë nëpër pjesë të ndryshme të vendit.

Kompania shtetërore e fluturimeve, IranAir, njoftoi se do t’i ndërpresë të gjitha fluturimet drejt Evropës për shkak të vendimeve të shteteve evropiane për t’ia kufizuar asaj realizimin e fluturimeve.

Nga koroanvirusi kanë vdekur disa zyrtarë iranianë, përfshirë një këshilltar të liderit suprem dhe ish të dërguarin në Vatikan.

Komento: