Alarmante: Temperaturat e larta bëjnë për spital mbi 300 persona

16:35 | 09 August 2019

Mbi 300 persona kërkojnë ndihmë në QKUK për shkak të temperaturave të larta.

Temperaturat e larta që po mbizotërojnë në Kosovë, kanë bërë që qytetarë të shumtë t’i drejtohen Klinikës Emergjente në QKUK, për shkak të problemeve shëndetësore nga vapa.

Drejtori Klinikës Emergjente në QKUK, Basri Lenjani, në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë se brenda 24 orëve në këtë klinikë kanë kërkuar ndihmë mbi 300 persona.

“Është numër i shtuar i atyre që kanë kërkuar ndihmë. Brenda 24 orëve ka arritur numri mbi 300 qytetarë që kanë kërkuar ndihmë për shkak të vapës së madhe. 50 mijë raste i kemi vetëm për shtatë muaj, kurse vitin e kaluar i kemi pasur mbi 18 mijë, pra është shtuar. Po ashtu është shtuar numri i të lënduarëve në aksidente. I kemi mbi 2800 të lënduar në aksidente dhe katër të vdekur të konfirmuar në shërbimin tonë”, ka thënë ai.

Sipas tij personat që kërkojnë ndihmë janë fëmijët dhe të moshuarit. Ndërsa siç tha ndihmë më së shumti kërkojnë personat me probleme neurologjike dhe disa sëmundje të tjera.

“Zakonisht ata që kërkojnë ndihmë kanë probleme neurologjike, problemet me yndyrë, me gjakë, me shtypje të alrtë, të ulët, me diabet, me sëmundje të veshkëve. Po ashtu ndihmë më shumë kërkojnë fëmijët, dhe të moshuarit, pa i anazhkaluar personat me terapi për shkak të depresionit të cilët nëse i ekzpozohen rrezeve të diellit mund të paraqiten çrregullime stomatike”, ka theksuar ai.

Ndër të tjera Lenjani ka thënë se apelojnë tek Ministria e Shëndetësisë dhe tek Qendra Klinike Universitare që të ndëshkohen rastet të cilat nga Qendrat e Mjekësisë Familjare dërgohen në Klinikën Emergjente pa ndonjë kriter.

“Përkundër kësja ne do të apelojmë te Qendra Klinike Universitare, Ministria e Shëndetësisë, si dhe te Drejtoria Ekzekutive që të gjitha rastet që dërgohen pa ndonjë kriter nga QKMF-të, do të ndëshkohen. Ne i mbledhim të gjitha udhëzimet për shkak që Qendrat e Mjekësisë Familjare kanë kapacitet të bollshëm për t’i menaxhuar rastet të cilat janë të thirrura në bazë të ligjit të shëndetësisë, por e njëjta gjë vlen edhe për spitalet regjionale për shkak që me një kapacitet të zvogëluar prej 22 shtretërve dhe brenda 24 orëve t’i kemi mbi 300 raste, kjo tregon ku kemi mbërri dhe sa mund të ofrojmë”, ka thënë ai duke shtuar se Klinika Emergjente është e obliguar të ofrojë vetëm shërbime që rrezikojne jetën e njeriut.

“Ne jemi të obliguar të ofrojmë vetëm atë që është urgjente e që rrezikohet jeta e njeriut, si goditja në tru, zemër, aksidentet, sëmundjet kronike të cilat akutizohen. Mirëpo mbi 70 për qind janë raste që se kanë vendin tek ne. Është ngarkesë për staf që 50 mijë raste të gjitha shërbimet gratis, pa i llogaritur shërbimet laboratorike që kushtojnë me miliona. Deri më tani Klinika Emergjente është e mbuluar me barna emergjente mungojnë barnat por që nuk kanë ndonjë vlerë emergjente”, ka thënë ai.

Ndërsa temepraturat minimale sot do të lëvizin ndërmjet 15-17 gradë celsius, kurse maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 34-35 gradë celsius.
Shtypja atmosferike mbetet mbi vlerat e normales, teksa indeksi i rrezeve ultravjollcë mbetet brenda kufijve të rrezikut. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga verilindja dhe jugperëndimi.

Kushtet biometeorologjike nuk do të jenë të favorshme për asnjë shtresë të popullatës, që nënkupton se shmangia nga rrezet e diellit nga ora 9-17 do të ishte e preferuar.

Komento: