Alarmante: Zjarret përfshijnë Kosovën

11:33 | 02 April 2019

Zjarret kanë përfshirë pjesë të mëdha të Kosovës.

Nga pakujdesia shumë zjarre janë aktivizuar në shumë pjesë të Kosovës.

Shumë incidente zjarri janë raportuar në 24 orët e fundit në Policinë e Kosovës.

Sipas raportit 24-orësh, në gjithë vendin janë djegur shumë hektarë male, shkurre e barishte.

Në një rast, në fshatin Busavatë të Kamenicës, është raportuar se është djegur një mal rreth 1.5 hektar të cilit ende s’i dihet pronari i ligjshëm. “Njësitë policore, zjarrfikësit dhe disa qytetarë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke u munduar ta shuajnë zjarrin. Sipas njësive në terren dëmet janë të mëdha”, thuhet në raportin e Policisë.

Incident zjarri është raportuar edhe në Shtime. Aty në rrethana ende të panjohura janë përfshirë nga zjarri rreth 30 hektarë shkurre dhe barishte. Vendit të ngjarjes i janë përgjigjur njësia e zjarrfikësve për lokalizim të zjarrit.

Shpërthim zjarri ka pasur në disa lokacione në Suharekë. Në raport theksohet se në mes të fshatrave Dragaçinë dhe Duhël është përfshirë nga zjarri mali pronë e panjohur. Sipas raportit, njësitet policore dhe zjarrfikësit s’kanë mundur të intervenojnë. Gjithashtu raportohet se nuk ka rrezik për banorët e dy fshatrave dhe për shtëpitë e tyre.

Në fshatin Baballoq të Deçanit, një person ishte ankuar se nga pakujdesia e anëtarëve të familjes së tij, që po digjnin mbeturina, është përfshirë nga zjarri stalla e tij. Këtu zjarri është lokalizuar. Nuk raportohet për dëme në njerëz.

Në rrugën “Janina” në Prizren, një person ka njoftuar se zjarri ka kapluar një pjesë të oborrit të fermës së pulave ku janë djegur disa pajisje të fermës. Zjarrfikësit kanë lokalizuar zjarrin.

Edhe në rajonin e Prishtinës, konkretisht në fshatin Vranidoll, tek kazerma e FSK-së, në 24 orët e fundit ka pasur pjesë të madhe të përfshirë nga zjarret. Afër janë parë edhe njësitë e zjarrfikësve, raporton Koha.

Komento: