
Barcelona ka plane të transferojë një qendërsulmues të ri gjatë verës, dhe në krye të listës së saj ndodhet sulmuesi i Atletico Madrid, Julian Alvarez.
Joan Laporta është një admirues i madh i reprezentuesit argjentinas dhe, nëse rizgjidhet president, nuk do të ishte befasi nëse katalanasit do të intensifikonin përpjekjet për transferimin e tij.
Megjithatë, nuk do të jetë e lehtë për Barcelonën ta sigurojë firmën e tij. Atletico Madrid nuk ka asnjë dëshirë ta shesë dhe nuk ndodhet nën presion për ta bërë këtë. Por edhe nëse Alvarez do të largohej nga ‘Riyadh Air Metropolitano’, një rikthim në Ligën Premier mund të jetë më i mundshëm.
Chelsea tashmë po shqyrton mundësinë e një marrëveshjeje, ndërsa edhe Arsenal dhe Manchester United janë të interesuara.
Megjithatë, për fat të keq për treshen angleze, Alvarez preferon një transferim te Barcelona, sipas raportimeve.
Përfaqësuesit e tij e kanë bërë të ditur më herët se ish-sulmuesi i Manchester Cityt ka vlerësim të madh për kampionët në fuqi të La Ligës, ndaj të cilëve Atletico fitoi 4-0 fundjavën e kaluar.

Në këtë fazë, Alvarez do të jetë një nga emrat më të përfolur gjatë afatit kalimtar të verës, kur gjithashtu do të përfaqësojë Argjentinën në Kupën e Botës.
Megjithatë, Atletico shpreson t’i japë fund spekulimeve përpara përfundimit të sezonit, pasi synon ta blindojë sulmuesin me një kontratë të re.
Alvarez aktualisht ka kontratë deri në vitin 2030, por drejtuesit e klubit madrilen duan t’ia zgjasin qëndrimin, duke i ofruar edhe rritje page.
Nëse ai e pranon ofertën, kjo pothuajse me siguri do të thotë se do të qëndrojë në “Riyadh Air Metropolitano” të paktën edhe një sezon tjetër./Telegrafi/