Alarmohen gjigantët evropianë, AC Milani ia vendos çmimin Rafael Leaos

23:51 | 23 Prill 2026

AC Milan është i gatshëm të shesë yllin e krahut Rafael Leao, për shkak të presioneve financiare dhe një sezoni pa trofe, ndërsa rivali Inter po shkon drejt titullit në Serie A.

“Rossonerët” do të konsideronin oferta duke filluar nga 70 milionë euro për sulmuesin portugez 26-vjeçar, i cili ka edhe dy vite kontratë të mbetura.

Kjo shumë shihet si relativisht e ulët, duke marrë parasysh kontributin e tij këtë sezon me 10 gola dhe aftësinë për të luajtur si anësor apo sulmues qendror.

Në garë për të janë futur disa nga klubet më të mëdha të Evropës. Nga Liga Premier interesim kanë shfaqur Manchester United, Manchester City dhe Liverpool, ndërsa nga Spanja përmenden dy gjigantë – Barcelona dhe Real Madridi.

Të gjitha këto klube synojnë ta mbyllin marrëveshjen përpara Kupës së Botës që do të zhvillohet në SHBA, pasi një paraqitje e mirë e Leaos me Portugalinë mund ta rrisë ndjeshëm vlerën e tij, ose në rast të një lëndimi, ta ulë atë.

Që nga transferimi i tij nga Lille në vitin 2019 për 30 milionë euro, Leao ka realizuar 80 gola me fanellën e Milanit në “San Siro”. Klubi italian synon të përfitojë maksimalisht nga shitja, ndërsa vetë lojtari dëshiron një zgjidhje të shpejtë për të ardhmen e tij.

Komento: