Ekspertët kanë thënë se koronavirusi mund të rikthehet më i fuqishëm herën e dytë.
Nëse nuk bëhen përgatitje të mjaftueshme për ta parandaluar, Covid-19 mund të kthehet më i fuqishëm herën e dytë. Kjo është deklarata e ekspertit të qeverisë amerikane për sëmundjet infektive.
Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, paralajmëroi se shpërthimi i koronavirusit mund të bëhet ciklik, por edhe mund të rikthehet më i fuqishëm nëse nuk merren masat e duhura për ta parandaluar dhe, natyrisht, nëse ato nuk respektohen.
Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Fauci tha se provat që virusi mund të bëhet ciklik dhe të rikthehet me stinën po shfaqen në hemisferën jugore.
“A do të kthehet ky virus e të bëhet sezonal ndoshta? Gjithmonë kam thënë se kjo ka shumë mundësi të ndodhë. Sepse kemi filluar të shohim në Afrikën Jugore dhe në vendet e hemisferës jugore, shfaqjen e rasteve me koronavirus, raste që po shfaqen, ndërsa këto zona kalojnë në stinën e tyre të dimrit.”
Dr. Fauci tha se mundësia e rikthimit të virusit e bën më të rëndësishëm faktin që studiuesit të vazhdojnë të punojnë për një vaksinë të re, sepse kjo do t’I bëjë ata më të përgatitur:
“Çfarë do të thotë kjo për ne? Kjo thekson nevojën për të bërë atë që po bëjmë në zhvillimin e një vaksine, testimin e saj të shpejtë për ta pasur gati për ciklin tjetër. Përveç kësaj, të kemi një listë barnash që kanë treguar se janë të efektshme dhe të sigurta”.
Për shumicën e njerëzve, koronavirusi i ri shkakton simptoma të buta, si ethe dhe kollë që shërohen për dy deri në tri javë.
Por tek të tjerë, veçanërisht të moshuarit dhe njerëzit me probleme të tjera shëndetësore, mund të shkaktojë sëmundje më të rënda, si pneumoni që i çon pastaj edhe në vdekje.