Alarmon infektologu kosovar: Nëse vazhdon rritja e rasteve me COVID-19, sistemi shëndetësor mund të kolapsojë

19:53 | 28 Korrik 2020

Infektologu Sadiku: Nëse vazhdon rritja e rasteve me COVID-19, sistemi shëndetësor mund të kolapsojë.

Infektologu, Izet Sadiku në një intervistë për emisionin “Përballje ditore” në Telegrafi.com me kryeredaktorin, Muhamet Hajrullahu ka folur për numrin e madh të rasteve me COVID-19 gjatë këtyre javëve të fundit.

Ai treguar edhe për kapacitetet ekzistuese në Klinikën Infektive dhe në spitale duke thënë se rritja e rasteve me COVID-19, është si pasojë e lirimit të masave të menjëhershme.

“Kemi rritje të rasteve të reja, kjo rritje e rasteve nuk po ndodh vetëm në Kosovë por edhe në vendet tjera, është pasojë e lirimit të masave që është bërë në shumicën e vendeve që në fillim kanë marrë masa për izolim dhe karantimin”, deklaroi ai.

Infektologu pohoi se numrat e fundit me COVID-19 janë shqetësuese sa i përket Kosovës.

“Numrat e fundit janë shqetësuese sa i përket Kosovës, për shkak se secili vend numrin e të infektuarve duhet ta bazojë në kapacitet spitalore që ka. Është shqetësuese sepse numrat e fundit kanë rritur numrin e rasteve aktive, mbi 3 mijë raste aktive kemi në Kosovë, kurse kemi mbi 600 pacientë të hospitalizuar në klinika. Është numër kogja i madh për Kosovën, duke pasur parasysh edhe kapacitet njerëzore edhe kapacitetet teknike që ka Kosova. Vazhdimi i këtij numri mund ta qes në vështirësi sistemin shëndetësor të Kosovës, duke pasur parasysh se mos menaxhimi i situatave kanë ndiku që ta gjunjëzojë edhe sistemet shëndetësore të vendeve më të zhvilluar. Mos respektimi dhe rritja e rasteve mund ta fus në kolapsim sistemin shëndetësor”, deklaroi ai.

Infektologu, Izet Sadiku gjatë intervistës në “Përballje ditore”, në Telegrafi.

Sadiku gjatë intervistës tha se tani është koha që të merren masa me qëllim të parandalimit, ndërsa lufta ndaj këtij virusi është në parandalim.

“Faktori determinues është IKSHPK, i cili në bazë të analizave që bën rekomandon masat. Nëse ne kemi një analizë të mirëfilltë të situatës së kush janë faktorët më të mëdhenj të rrezikut në Kosovë, dhe marrim masa ndaja tyre faktorëve atëherë mundësi për parandalim është më e madhe. Në qoftë se marrim masa pa analizë të Institutit, atëherë këto mund të jenë veprime që edhe irritojnë qytetarët edhe të mos efekte të numrave”, u shpreh ai.

Infektologu pohoi se pavarësisht se Qeveria ka marrë masa numri i të infektuarve nuk është zvogëluar, dhe se kjo tregon se qytetarët nuk kanë respektuar masat mbrojtëse ose nuk janë duke u monitoruar sa duhet nga institucionet.

Komento: