Alarmon OBSH-ja, paralajmëron rrezik të lartë infektimi nga Omicron

09:21 | 30 November 2021

OBSH paralajmëron për rrezik të lartë infektimi nga Omicron.

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se varianti i ri i koronavirusit Omicron paraqet rrezik të madh për rritjen e infeksioneve në të gjithë botën.

Në paralajmërimin e saj të fundit, OBSH-ja tha se varianti mund të çojë në pasoja të rënda në disa rajone.

Drejtori i organizatës, Tedros Adhanom Ghebreyesus, bëri thirrje për shpërndarjen e vaksinave në vende të varfra.

COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi, “nuk ka mbaruar punë me ne”, tha Tedros.

Varianti Omicron u zbulua në Afrikën e Jugut në fillim të këtij muaji. Të dhënat e para sugjerojnë se numri i madh i mutacioneve të tij mund ta ndihmojë atë që të shmangë përgjigjen e sistemit imunitar dhe të rrisë aftësinë e tij për t’u përhapur nga një person në tjetrin.

“Omicron ka një numër të paprecedentë mutacionesh – disa prej të cilave janë shqetësuese për ndikimin e mundshëm në trajektoren e pandemisë”, tha OBSH-ja.

Tedros tha se shkencëtarët në të gjithë botën po punojnë për të zbuluar nëse varianti i ri lidhet me transmetim më të lartë të koronavirusit dhe me rrezik të riinfktimit. Ai po ashtu tha se studiuesit po shikojnë reagimin e vaksinave ndaj variantit të ri.

Tedros, megjithatë, theksoi se asnjë vdekje deri më tash nuk është lidhur me Omicronin.

Raste të infektimit me këtë variant kanë raportuar tashmë disa vende, përfshirë Kanadanë, Britaninë e Madhe, Portugalinë, Belgjikën, Republikën Çeke dhe Holandën.

Varianti i ri ka bërë që Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të vendosin ndalim udhëtimi në vendet e Afrikës së Jugut – një vendim ky i kritikuar fuqishëm nga presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa.

Japonia ka njoftuar se do t’i mbyllë kufijtë e saj për vizitorët e huaj nga mesnata e së martës, ndërsa Australia ka pezulluar planin e saj për të lehtësuar kufizimet në kufij.

Disa ekspertë shëndetësorë kanë thënë se kufizimet e tilla mund të blejnë kohë për të analizuar variantin e ri dhe për të përshpejtuar programet e vaksinimit.

Rastet e të infektuarve në Afrikën e Jugut ka të ngjarë të kalojnë 10,000 në ditë këtë javë, nga afro 300 dy javë më parë, tha Salim Abdool Karim, ekspert i sëmundjeve infektive në këtë vend.

Ai tha se beson se vaksinat ekzistuese mund të jenë efektive për të penguar Omicronin që të shkaktojë sëmundje të rënda.

Pacientët me Omicron, deri më tash, kanë pasur simptoma kryesisht të lehta, por mjekët paralajmërojnë se është ende herët dhe vërejnë se shumica e rasteve të reja janë te personat në të 20-at dhe të 30-at e tyre.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të hënën se Qeveria amerikane po punon me kompanitë farmaceutike për të bërë plane emergjente, nëse nevojiten vaksina të reja.

Ai shtoi se SHBA-ja nuk do të futet në izolim gjatë dimrit të ardhshëm, por u bëri thirrje njerëzve që të vaksinohen dhe të veshin maska në ambiente të brendshme publike. /REL/

Komento: