Sindikata e Telekomit alarmon: Qeveria në shërbim të Z Mobile.
Edhe tri ditë kanë mbetur kur Telekomi i Kosovës do t’ia paguajë këstin e parë prej 740 mijë eurosh Z Mobile, konform marrëveshjes të ndërmjetësuar ndërmjet Qeverisë dhe Bordi të Drejtorëve të Telekomit të Kosovës, respektivisht menaxhmentit të kësaj ndërmarrje.
Ndërsa, punëtorët e Telekomit ende nuk i kanë marrë pagat për muajin dhjetor 2020 dhe ende nuk dihet se kur do t’i marrin për shkak të gjendjes së rëndë financiare, si pasojë e këstit mujor që duhet ta paguajë Z Mobile, për dy vitet e ardhshme nga 740 mijë euro në datën 15 të çdo muaji.
Madje, gjatë negociatave ndërmjet Qeverisë dhe Z Mobile, Telekomi i Kosovës kishte insistuar që afati i pagesave të jetë, të paktën 5 vite dhe kësti mujor të jetë më i ulët, por Qeveria kishte vendosur që kësti të jetë 740 mijë euro në kohëzgjatje dyvjeçare, shkruan Gazeta Infokus.
“Qeveria ia ka kthyer shpinën Telekomit dhe deri më sot nuk e ka mbajtur asnjë premtim për t’i dalë në ndihmë ndërmarrjes sonë. Kjo do të thotë se kjo Qeveri është në shërbim dhe në interesa të oligarkëve . Për më tepër dy ndihma financiare që I bërë Telekomit rreth 5 milionë, ato mjete kanë përfunduar në llogari të Z Mobile. Pra, ndihma nuk ishte ndaj Telekomit, siç ishte proklamuar, por ishte direkt për Z Mobile”, tha Muhamet Xhemajli, kryetar i Sindikatës Profesionale të Telekomit.
Ai e ka fajësuar Qeverinë për mashtrim publik në momentin kur ka deklaruar se do ta zgjedhin problemin e Telekomit të Kosovës me Z Mobile duke ofruar mbështjetje për Telekomin dhe në të njëjtën kohë duke bërë presion që të arrihet një marrëveshje për kryerjen e obligimeve milionësshe ndaj tyre.
“Derisa Qeveria ka ndihmuar biznese dhe ndërmarrje të caktuara në emër të rimëkëmbjes ekonomike, për fat të keq, kompaninë që e ka nën menaxhim 100 për qind, Telekomin që është duke falimentuar, e injon në kohën më të vështirë”, pohon Xhemajli.Sipas tij, rreth 4 mijë punëtorë, përfshirë edhe Postën e Kosovës, janë pa paga dhe kjo pritet të zgjasë edhe një kohë, sepse prioritet për Qeverinë e Kosovës është kryerja e obligimeve ndaj Z Mobile dhe jo shpëtimi nga falimentimi, siç kanë proklamuar.