Alarmon Zeka: Bizneset buzë kolapsit

12:55 | 25 July 2020

Pasojat e pandemisë, Zeka: Bizneset buzë kolapsit, të veprohet shpejt.

Një pjesë e madhe e bizneseve do të futen në kolaps dhe dhjetëra mijëra vende të punës do të mbyllën për shkak të vonesave të zbatimit të pakos emergjente fiskale dhe mangësive që i ka për ta mbështetur sektorin privat.

Kështu ka thënë drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, derisa ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës sa më parë ta miratojë rishikimin e buxhetit dhe ta shqyrtojë edhe projektligjin për rimëkëmbje ekonomike të miratuar ditë më parë në Qeveri.

Drejtori Zeka në një intervistë për KosovaPress, deklaron se ende nuk ka statistika zyrtare për rënie të numrit të punësimit si pasojë e pandemisë, por ka shtuar se institucionet e shtetit kanë lënë një numër të madh të bizneseve në mëshirë të fatit dhe mos dhënia e kësaj përkrahje te to, rrezikon mbijetesën e tyre.

“Ajo që dimë për momentin është që mos zbatimi i këtyre masave nga pakoja emergjente fiskale, edhe ashtu të mangëta, po ashtu të kufizuara në aspektin e shumë së përkrahjes. Ka lënë një numër të madh të bizneseve në mëshirë të fatit gjë që natyrisht mos dhënia e kësaj përkrahje te to, natyrisht që rrezikon mbijetesën e tyre dhe ne presim që në muajt në vijim të jenë goxha të zymtë në këtë aspekt edhe megjithatë një pjesë e madhe e bizneseve do të kolapsohen dhe dhjetëra mijëra vende të punës do të mbyllën në një kohë kur ne kemi pasur nevojë për të kundërtën. Kemi pasur nevojë për nxitje të investimeve të brendshme dhe të jashtme dhe krijim të vendeve të reja të punës”, deklaron Zeka.

Ai ka thënë se institucionet e Kosovë janë vonuar tej mase në aprovimin e pakove të përkrahjes për ndërmarrjet edhe për punonjësit e goditur nga Covid-19, teksa thotë se vendet tjera të rajonit kanë aprovuar edhe pako të treta për ndërhyrjen e shtetit në mbështetje të ekonomisë, në rend të parë të sektorit privat, i cili është më i godituri pas shpërthimit të pandemisë Covid-19.

“Pavarësisht vonesave, ne megjithatë kemi mirëpritur aprovimin e projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike. Si Odë Ekonomike Amerikane edhe para aprovimit të projektligjit për disa muaj prej shpërthimit të pandemisë kemi ofruar rekomandimet tona, por kemi pasur edhe komente specifike pas draftimit të projektligjit të cilat i kemi dorëzuar te qeveria. Do të shohim nëse janë marrë parasysh në këtë version që tashmë është proceduar nga ana e Qeverisë tek Kuvendi dhe besoj që edhe komentet tjera që bizneset mund të kenë do të mund t’i adresojmë edhe në fazën e diskutimit publik në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Është me rëndësi që të veprohet shpejt, është me rëndësi që dinamika e shqyrtimit nga ana e Komisionit përkatës parlamentar të jetë e shpejt. Ajo që është me rëndësi që mos të politizohet ose mos të krijohen përplasje politike për këtë pjesë legjislative për këto ligje të cilat janë jetike tashmë për të mbështetur biznesin”, thotë Zeka.

Ai po ashtu thekson se si odë kanë mirëpritur edhe masat të cilat kanë përfshirë brenda Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, sepse ato reflektojnë edhe kapacitetet buxhetore të vendit dhe mundësitë e vendit për të ndërhyrë.

Zeka me tej ka thënë se është me rëndësi që disa prej masave do të mundësojnë lehtësimin e qasjes në financa për bizneset, gjë që është shumë me rëndësishme në këtë periudhë të cilën po kalojmë.

Derisa për ndryshimet ligjore për tërheqjen e 10 përqind të kursimeve, Zeka thotë se nuk janë mbështetje direkte financiare, pasi mjetet e Trustit janë kontribute të vet qytetarëve.

“Nuk ka pasur mbështetje financiare direkte për qytetarët e goditur për tej kompensimit të pagave që ka qenë më tepër një masë lehtësuese për ndërmarrje sesa për vet qytetarët. Edhe ky kompensim i pagave është dhënë në nivel të pagës minimale gjë që nuk ka ndonjë efekt shumë të madh në ekonominë tonë. Masa e tërheqjes së 10 përqindëshit të kursimeve pensionale që ka këtë efekt, por megjithatë këtu kontributi është i vet qytetarëve të cilët prekin kursimet e tyre pensionale dhe nuk është ndërhyrje e shtetit ose nuk është kontribut që shteti e ofron për ekonominë e vendit. Ne jemi të vetëdijshëm që kemi kapacitete të mangëta buxhetore edhe financiare dhe aftësi të kufizuar të kompensimit të çfarë do mase të tillë në të ardhmen. Prandaj, i mirëkuptojmë këto masa, ashtë siç janë prezantuar. Me rëndësi në këtë moment që këto masa të kësaj pakoje të aprovohen sa më shpejt që është e mundur dhe këto masa të fillojnë të zbatohen sa më shpejt që është e mundur”, thotë Zeka.

Ai në fund thekson sepas thirrjeve nga komuniteti i bizneseve tash e sa kohë, më në fund është një lajm i mirë nga Kuvendi për votimin e marrëveshjeve financiare ndërkombëtare.

Ndryshe, nëntë masat që janë paraparë në kuadër të Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike janë: Lehtësimi i qasjes në financim, zvogëlimi i barrës tatimore, masat për mbështetje të punësimit, bujqësia, masat për stimulim të kërkesës agregate, mbështetje për ndërmarrje publike për operim të rregullt dhe investime kapitale të rëndësisë strategjike, rishikimi i Buxhetit për 2020, masa mbështetëse për ekonomi nga sektori financiar dhe masa e nëntë mobilizimi për financimin e masave.

Komento: