Kosova vazhdon të jetë vendi më I varfër në rajon.
Revista “Global Finance” e cila ofron raporte ekonomike, listime apo edhe lajme financiare, ka publikuar renditjen e shteteve të botës nga më i pasuri tek më i varfëri për vitin 2022. Shifrat i referohen Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në publikimin “Prespektiva Ekonomike Botërore, Prill 2022”.
Sipas këtyre të dhënave, për vitin 2022 Kosova del të jetë shteti më i varfër në rajon, duke u renditur në vendin e 105-të në botë me 13,964 dollarë të ardhura për kokë banori.
Shqipëria renditet e 90-ta mes 192 vendeve në total të marra në analizë me PBB për frymë në 17,383 dollarë.
Matja e vendeve të pasura dhe të varfëra bëhet referuar PBB për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse. Produkti i brendshëm bruto është i konvertuar në dollarë ndërkombëtarë duke përdorur normat e barazisë së fuqisë blerëse.
Kjo matje bëhet pasi nëse do të merrnim parasysh vetëm produktin e brendshëm bruto të një vendi gjatë një viti, atëherë do na duhet të konkludojmë se kombet më të pasura janë pikërisht ato me GDP-në më të lartë si Shtetet e Bashkuara, Kina, Japonia apo Gjermania.
Kështu, për të patur të dhëna më të sakta sa i përket vendeve më të pasura dhe atyre më të varfëra, sipas Global Finance, është e preferueshme që vendet të jenë edhe egalitare, pra të barabarta ekonomikisht.
Për të vlerësuar se sa të pasur janë qytetarët e një vendi, është e nevojshme të kuptohet se sa mund të blejnë. Pra kur krahasojmë GDP-në për frymë midis vendeve, PBB-ja duhet të rregullohet për barazinë e fuqisë blerëse, gjë që na ndihmon të marrim parasysh normat e inflacionit dhe çmimin e mallrave dhe shërbimeve në çdo vend të caktuar.
Sipas kësaj metodologjie vendi më i pasur në botë është Luksemburgu me PBB për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse deri në 140,694 dollarë. Vendi dytë më i pasur është Singapori, ndjekur nga Irlanda dhe Katari.
Në fillim të listës vijojnë edhe vende si Zvicra Emiratet e bashkuara Arabe, Norvegjia dhe Shtetet e Bashkuara në vend të shtatë me 76,027 dollarë për frymë. Por cilat janë vendet më të varfëra të botës? Listimi i tyre sipas PBB për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerë tregon se në fund të listës janë vende si Burundi, Sudani i Jugut, Somalia, Nigeria, Republika e Kongos dhe vende të tjera afrikane.
Në rajon, sipas renditjes, Kosova dhe Shqipëria janë më të varfërat në rajon, duke u radhitur në vendet 105 dhe 90.
Mali i Zi kryeson në rajon si vendi më i pasur me PBB më të lartë për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse.
Renditet në vend të 69-të në botë me 24,878 dollarë. Më pas vjen Serbia dhe Maqedonia e Veriut të renditur në vend të 72 dhe 78 respektivisht. Bosnje Hercegovina në këtë renditje qëndron në vend të 88-të me 17,471 dollarë për frymë.