Alban Bushi: Unë kam marrë lojtarë shqiptarë, jo lojtarë të Kosovës

19:24 | 20 September 2022

Përzgjedhësi i Kombëtares U20 të Shqipërisë, Alban Bushi, ka folur rreth situatës me futbollistët nga Kosova që po kalojnë te Shqipëria.

Së fundmi dy futbollistë, Adrion Pajaziti dhe Medon Berisha, që ishin pjesë e Kosovës U21, braktisën “Dardanët” dhe iu bashkuan Shqipërisë – shkruan Gazeta Express.

Largimi i tyre, por edhe i të tjerëve, vazhdon të shihet si një problem serioz për Kosovën, teksa edhe reagimet po janë të shumta.

Rreth kësaj ka folur sot edhe Alban Bushi, i cili ftoi Pajazitin dhe Berishën te Shqipëria U20 për ndeshjet kundër Maqedonisë së Veriut (23 shtator) dhe Kroacisë (25 shtator).

Mes tjerash, përzgjedhësi shqiptar tha se ai nuk ka marrë lojtarë të Kosovës, por shqiptarë.

“Unë kam marrë lojtarë shqiptarë, jo lojtarë të Kosovës. Unë mendoj se si Kosova si Shqipëria është njësoj dhe çdokush që flet shqip sot në botë dhe është lojtar cilësor, ne jemi të detyruar për ta ftuar në ekipin kombëtar. Pastaj është në dorë të lojtarit, nëse zgjedh Kosovën apo Shqipërinë. Bëhet fjalë për dy lojtarë siç janë Adrion Pajaziti dhe Medon Berisha, të cilët kanë qenë pjesë e Kosovës sezonin e kaluar, por para se të shkonin te Kosova kanë pjesë edhe ekipeve të moshave të Shqipërisë, por për arsye të procedurave të tej zgjatura në pajisjen me pasaportë shqiptare ata luajtën me Kosovën dhe tani kanë zgjedhur të luajnë me Shqipërinë. Kështu që nuk shoh ndonjë problem të madh. Ka pasur edhe lojtarë të cilët kanë luajtur me Shqipërinë dhe tani përfaqësojnë Kosovën dhe lojtarë të Kosovës dikur që tani luajnë me Shqipërinë, kështu që nuk shoh asnjë lloj problemi në këtë aspekt. Më duket pak e habitshme kur dëgjoj për polemika pasi të gjithë flasin shqip dhe të gjithë duan të përfaqësojnë flamurin kuqezi”, deklaroi Alban Bushi.

Komento: