Albin Kurti do ta ndryshon qasjen ndaj Serbisë, SHBA nuk do të lejon vonesa dhe sjellja sikurse Qeveria Haradinaj

12:46 | 04 November 2019

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili është kandidati potencial për Kryeministër të Kosovës pas fitores së zgjedhjeve të 6 tetorit, do të ndryshon qasjen e tij ndaj Serbisë dhe dialogut ku do të arrihet marrëveshje mes palës kosovare dhe asaj serbe.

Analistët thonë se Kurti dhe Vetëvendosje janë duke u gjendur përballë një presioni të madh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nuk do të lejojnë qasje të dikurshme dhe vonesa në marrëveshjen përfundimtare.

SHBA do të bëjë që Kosova sapo të formojë Qeverinë e re, të rinisë dialogun me Serbinë pa e pasur komoditetin që të rishikojë marrëveshjet e arritura deri tani, thotë analisti Arton Demhasaj.

“Presioni ndërkombëtar, sidomos në këtë, presioni amerikan është shumë i madh për sa i përket çështjes së dialogut, madje ata kërkojnë që sa më shpejt të krijohet edhe qeveria që sa më shpejt të rifillojë dialogu, në mënyrë që shumë shpejt të arrihet një marrëveshje potenciale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kështu që nuk besoj se mund të këtë mundësi ta mbajë një komoditet të tillë, për sa i përket qasjes që Vetëvendosje e ka pasur për dialogun” tha Demhasaj për Radio Kosova.

Pa dyshim se pritet që të ndryshojë qasja, vetëm shpresojmë të jetë për të mirë të qytetarëve, thotë drejtuesja ekzekutive e Organizatës “FOL”, Mexhide Demolli.

“Partitë opozitare që edhe fituan zgjedhjet e fundit, gjatë gjithë fushatës zgjedhore kanë premtuar një qasje tjetër ndaj dialogut me Serbin dhe padyshim se do duhej të jetë qasja ndryshe nga ajo e kaluara, sepse energjia që kanë marrë këto negociata për kaq shumë vite, ka bërë shumë probleme të tjera që janë më të rëndësishme për qytetarët, të mbesin në hije”, tha Demolli.

Në planin e saj qeverisës për sa i takon dialogut me Serbinë, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, fillimisht kërkon vlerësimin e marrëveshjeve të arritura nga viti 2011 e deri më 2017-të. Por, kjo nuk do të jetësohet menjëherë, pasi që presioni ndërkombëtar është mjaft i madh që dialogu Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, të rifillojë shpejt.

Komento: