Albin Kurti i dha 350 mijë euro të buxhetit për pjesëmarrjen në Forumin Ekonomik në Davos

20:08 | 22 January 2025
albin-kurti-i-dha-350-mije-euro-te-buxhetit-per-pjesemarrjen-ne-forumin-ekonomik-ne-davos

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti udhëtoi dje (të martën) në Davos të Zvicrës për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror.

E pjesëmarrja e kryeministrit Kurti në këtë forum, buxhetit të shtetit i ka kushtuar hiq më pak se 350 mijë euro.

Dy muaj më parë me një vendim të kryeministrit Kurti në emër të promovimit të Kosovës, u ndanë 350 mijë euro nga buxheti i shtetit pikërisht për të marrë pjesë në këtë forum apo për “organizimin e pjesëmarrjes”.

Sipas vendimit të cilin e ka siguruar Gazeta Infokus, thuhet se kjo shumë është ndarë për oganizimin e pjesëmarrjes së Kosovës në forumin botëror ekonomik së bashku me ‘Kosova House’.

Në dokument thuhet po ashtu se mjetet do të barten në xhirollogarinë e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP).

Kryeministri Kurti dje në faqen e tij zyrtare njoftoi se në natën e hapjes se këtij forumi pati bisedime sipas tij të frytshme me Kryeministrin e Lituanisë Gintautas Paluckas.

“Në Davos, në margjina të Forumit Ekonomik Botëror si dhe në Shtëpinë e Kosovës, patëm bisedime e shkëmbime të frytshme me: Kryeministrin e Lituanisë Gintautas Paluckas për të thelluar më tej marrëdhëniet e bashkëpunimin dypalësh, e me investitorë potencialë e strategjikë për mundësitë e rritjes së investimeve në sektorin e energjisë. Dita e parë e qëndrimit në Zvicër u përmbyll me darkën e hapjes së Forumit Ekonomik Botëror, e nesër vijojmë mes tjerash edhe me nënshkrimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me vendet anëtare të EFTA-s”, ka shkruar ai.

Derisa sot gjatë ditës drejtpërdrejtë në faqen e kryeministrit është lëshuar momenti i nënshkrimit të Marrëveshjes për Tregtinë e Lirë mes shteteve anëtare të EFTA-s dhe Republikës së Kosovës.

Në ceremoninë e nënshkrimit anëtarët e EFTA-s dhe kryeministri Kurti, thanë se kjo marrëveshje do të sjellë përfitime të dyanshme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me këtë marrëveshje hapet kapitulli i përforcimit i raporteve ekonomike, por edhe i avancimit të raporteve tregtare mes shtetit të tij dhe anëtarëve të EFTA-s.

“Marrëveshja që nënshkruajmë sot themelon një kornizë për marrëdhënie tregtare midis shteteve të EFTA-s dhe Kosovës si dhe do të krijojë mundësi të reja duke i dhënë Kosovës qasje në tregjet e EFTA-s. Këtu hapen mundësi të reja eksporti për bizneset tona dhe integrim më i thellë në kornizën ekonomike evropiane, duke na mundësuar që të garojmë në një shkallë të gjerë”, tha Kurti gjatë ceremonisë së nënshkrimit.

Komento: