Albin Kurti i kërkon prokurorisë të ngrejë aktakuzë ndaj Thaçit e Veselit – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Albin Kurti i kërkon prokurorisë të ngrejë aktakuzë ndaj Thaçit e Veselit

12:35 | 18 Dhjetor 2019

Albin Kurti kërkon që kallëzimi penal ndaj Thaçit e Veselit të shndërrohet në aktakuzë.

Kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti ka përfunduar dëshminë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, kundër presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, lidhur me organizatën “Syri i Popullit”.

Kurti para mediave ka thënë se ka kërkuar që kallëzimi penal që kanë bërë bashkë me Glauk Konjufcën kundër Thaçit e Veselit, të shndërrohet në aktakuzë, transmeton Koha.

“Më datë 28 dhjetor të vitit të kaluar, pra edhe 10 ditë bëhen 1 vit të ditës kur në shqyrtimin gjyqësor kundër një dyzimi të të akuzuarve të të ashtuquajturës organizatë “Syri i Popullit” patën bërë deklarim të rremë nën betim, presidenti aktual Hashim Thaçi dhe ish kryetari i Kuvendit Kadri Veseli. Më datë 25 prill, edhe një javë bëhen 8 muaj, kur Konjufca dhe unë bëmë kallëzim penal ndaj tyre”, tha Kurti.

Kurti shtoi se “Kemi bërë këtë kallëzim penal meqenëse ata deklaruan rrejshëm nën betim, duke na akuzuar neve lidhur me organizatën “Syri i Popullit”.

“Edhe 10 ditë bëhen 1 vit që Thaçi e Veseli deklaruan se në njërën anë Vetëvendosja është krahu i arm’atosur i “Syrit të Popullit”, dhe në anën tjetër kanë thënë se ne të dy jemi marrë me shkrim të komunikatave të UÇK-së. Madje kanë akuzuar se e kemi inspiruar atë organizatë. Është për t’u çuditur se si prokurori atë botë nuk ka reaguar fare ndaj presidentit, i cili ka marrë detyrën e prokurorit duke thënë se do t’i zgjerojë akuzat edhe në drejtim të Glauk Konjufcës e Albin Kurtit”, tha Kurti.

Kurti tha se kërkon që ky kallëzim penal të shndërrohet në aktakuzë.

“Më në fund e fituam thirrjen nga Prokuroria dhe sot pata rastin të përgjigjem në të gjitha pyetjet. Unë kërkoj të shndërrohet në aktakuzë ndaj Thaçit e Veselit dhe në këtë mënyrë të mundësohet proces i drejt për deklarimet e rreme nën betim. Ky proces unë besoj që duhet të përfundojë me dënimin e këtyre dyve. Dhe gjithashtu kam bërë edhe kërkesën për zhdëmtim, kërkesën pasurore juridike. Do të jem i gatshëm që sa herë të më thërrasë Prokuroria të vijë për dëshmimet tona lidhur me shpifjet e paskrupullta që bënë ndaj nesh”, përfundoi Kurti.

Dëshmi kundër Thaçit e Veselit për këtë rast ka dhënë edhe Glauk Konjufca.

Komento: