
Albin Kurti, ka kujtuar Rexhep Malajn dhe Nuhi Berishën në 42-vjetorin e rënies së tyre, duke theksuar rezistencën e armatosur dhe sakrificën e tyre për lirinë e Kosovës.
Ai rikujtoi veprimtarinë e tyre politike dhe kombëtare, jetën në ilegalitet, përballjen me policinë jugosllave dhe ndikimin e rënies së tyre si simbol i qëndresës dhe frymëzim për brezat që luftuan për liri.
Postimi i plotë:
Në një ditë të ftohtë dimri sikur e sotmja, më 11 janar të vitit 1984, u vranë duke rezistuar të armatosur përballë policisë jugosllave, Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha, dy veprimtarë të shquar politikë e kombëtarë.
Mbrëmjen e 11 janarit 1984, policia jugosllave ndërmori një aksion për kapjen e Rexhepit dhe Nuhiut, duke i rrethuar në një shtëpi ku ata ishin strehuar, në lagjen Vranjec (tash Kodra e Trimave) në Prishtinë. Rexhepi dhe Nuhiu rezistuan me armë, dhe pas mesnate u vranë të dy. Rënia e tyre si angazhim dhe luftë për liri deri në flijim, u përjetua si shembull ideal nga shokët aktivistë dhe nga populli shqiptar, në Kosovën e pushtuar nga Serbia nën Jugosllavi.
Rexhep Malaj ishte anëtar udhëheqës i organizatës së fshehtë Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRSHJ), kurse Nuhi Berisha ishte udhëheqës i Shtabit Operativ të LRShJ-së për Universitetin e Prishtinës. Që prej tre muajsh, Rexhepi dhe Nuhiu ishin duke jetuar së bashku në kushte ilegale, meqë më 8 tetor 1983, ishin pikasur dhe po gjurmoheshin nga shërbimi sekret jugosllav. Si aktivistë, ata ishin lidhur mes tyre vetëm disa muaj më parë, pas daljes së Rexhepit nga burgu më 23 maj 1983.
Rexhep Malaj kishte qenë një nga veprimtarët politikë drejtues më të rëndësishëm të kohës, i cili qysh si gjimnazist ishte përjashtuar nga shkolla dhe dënuar për përfshirje në organizimin e demostratës së 27 nëntorit 1968 në Gjilan. Ai kishte lindur më 29 mars 1951 në fshatin Hogosht të Kamenicës. Në vitin shkollor 1970/’71 punoi si mësues në fshatin Marec të Prishtinës, teksa studionte për ekonomi në Universitetin e Prishtinës. Më 1973, Rexhepi ishte dënuar me 28 ditë burgosje për kalim ilegal të kufirit Jugosllavi – Shqipëri, kurse më 1974 qe dënuar po për kalim ilegal të lufirit në territorin e Sllovenisë, ku nga Jugosllavia kishte dalë në Austri. Më 23 maj 1975, Rexhep Malaj u arrestua dhe në një proces të gjerë gjyqësor ku u gjykua edhe Adem Demaçi, u dënua me 9 vite burgosje. Këto 9 vite, Rexhep Malaj i kaloi në burgje të ndryshme nëpër Jugosllavi: në Prishtinë, Mitrovicë, Zenicë, Shtip, Idrizovë, Prizren, Foçë dhe Mostar.
Nuhi Berisha kishte lindur më 3 tetor 1961 në Svircë të Kamenicës. Pas kryerjes së gjimnazit në Gjilan, ai kishte studiuar për drejtësi dhe kulturë fizike në Universitetin e Prishtinës. Gjatë asaj kohe, si student, Nuhiu i ishte bashkuar Komitetit të Studentëve në kuadër të organizatës Grupi Revolucionar, duke marrë pjesë në organizimin e demostratave të vitit 1981. Ai kishte migruar në Zvicër ku e kishte vazhduar angazhimin e tij politik dhe prej nga ishte kthyer në qershor të vitit 1983.
Fryma e kontekstit kur u vranë Rexhepi dhe Nuhiu, mund të lexohet në shtypin ilegal të kohës, sikur në gazetën “Zëri i Kosovës”, organ i Lëvizjes për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi, e cila në numrin 1 të shkurtit 1984, njoftonte për rezistencën dhe rënien e Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës, me portretet e tyre në ballinë dhe me titullin “Qëndresë heroike në Prishtinë”.
Kurse për ta njohur drejtpërdrejt veprën dhe mendimin politik të këtyre dy patriotëve të paepur, mund të lexohen veprat e tyre të shkruara: ditari i burgut i Rexhep Malajt, me titull “Qëndresa” dhe kujtimet e Nuhi Berishës të shkruara në Zvicër, për demonstratat e vitit 1981, “Pranverë e luleve të kuqe”. “Qëndresa” e Rexhep Malajt është dëshmi e qëndresës së tij në burg dhe e qëndresës së atyre që besuan te liria deri në vdekje, ashtu siç “Pranvera e luleve kuqe” e Nuhi Berishës, është regjistër kujtimesh për demonstratat e vitit 1981 dhe rezistencën e shqiptarëve të shtypur nën Jugosllavi.
Lavdi Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës, në 42 vjetorin e rënies së tyre për lirinë e Kosovës!