Albin Kurti me analizë për sulmin në Ibër-Lepenc: Vuçiq e bëri për dy arsye, të eksternalizojë krizën e brendshme dhe të ndalojë përshkallëzimin e mëtejmë të protestave

17:56 | 24 Dhjetor 2025
Albin Kurti me analizë për sulmin në Ibër-Lepenc: Vuçiq e bëri për dy arsye, të eksternalizojë krizën e brendshme dhe të ndalojë përshkallëzimin e mëtejmë të protestave

K ryeministri në detyrë,  Albin Kurti doli me një analizë rreth sulmit në Ibër-Lepenc. Kurti tha se Aleksandër Vuçiq e ka bërë për dy arsye, e para për të ndalur kulmimin e protestave në Serbi dhe e dyta të eskternalizojë krizën e brendshme.

Kurti tha se ky duhet të ketë qenë qëllimi i Aleksandër Vuçiqit, me rastin e goditjes së kanalit të Ibër-Lepenciut në nëntor të vitit të kaluar.

Dy qëllime i ka pasur Vuçiqi, sipas Kurtit. “(…)Të eksternalizojë krizën e brendshme… dhe të ndalojë përrshkallëzimin e mëtejmë të protestave, dhe ky duket të ketë qenë qëllimi i dytë i pushtetit në Serbi”, tha ai.

Postimi i plotë:

Sulmi kinetik ndaj Kanalit Ibër–Lepenc: Destabilizim i Kosovës dhe Eksternalizim i Krizës së Brendshme të Serbisë
Sulmi kinetik ndaj infrastrukturës vitale, përkatësisht Kanalit të ujit Ibër–Lepenc më 29 nëntor 2024, përveç dëmeve materiale dhe qëllimeve për ta destabilizuar Kosovën, u pasua nga një operacion i koordinuar i influencës së fshehtë, me synim deformimin e fakteve dhe përmbysjen e narrativës, duke tentuar që Kosova, viktima e sulmit, të paraqitej si përgjegjëse.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ndaj tre shtetasve serbë, dy prej të cilëve pjesëtarë të strukturave ilegale, të lidhur me institucionet e sigurisë së Serbisë, konfirmon se ky nuk ishte një akt i izoluar, por një përpjekje e qëllimshme e Serbisë për sabotimin e Republikës së Kosovës në përmasa të gjera. Një element kyç është edhe fakti se ekspertiza ndërkombëtare forenzike konstaton që eksplozivi me të cilin është kryer sulmi terrorist i asaj nate është me origjinë ushtarake. Si aktakuza ashtu edhe të gjeturat e ekspertizës ndërkombëtare forenzike janë në linjë të plotë me vlerësimet fillestare të institucioneve tona të sigurisë të cilat i pata prezantuar një vit më parë në konferencë të jashtëzakonshme për media në Kryeministri (linku i adresimit të plotë në konferencën e 24 dhjetorit 2024: https://kryeministri.rks-gov.net/…/adresimi-i-plote-i…/).

Grafiku në këtë postim tregon qartë se sulmi terrorist i 29 nëntorit 2024 përbën edhe pikën e lakimit në reagimin qytetar në Serbi, i cili po përshkallëzohej me shpejtësi që nga 1 nëntori 2024, pas tragjedisë në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona. Sipas të gjitha indikacioneve, regjimi i Aleksandar Vuçiqit, i përballur me një valë protestash në rritje që rrezikonin drejtpërdrejt stabilitetin e tij politik, zgjodhi të godasë Kosovën dhe të eksternalizojë krizën e brendshme.

Përmes një sulmi të kryer nga struktura të ndërlidhura me shërbimet ushtarake të inteligjencës, tre javë pas tragjedisë në Novi Sad dhe dhjetë ditë para protestës së parë të paralajmëruar në Beograd, u tentua zhvendosja e krizës nga Beogradi drejt veriut të Kosovës. Sepse qëllimi i sulmit përveç se të fuste Kosovën në kolaps energjetik dhe të shërbimeve esenciale, ishte edhe të krijohej pasiguri te qytetarët e komunave veriore të banuara me shumicë serbe. Sulmi ndaj kanalit të ujit në Varagë, Zubin Potok, ka ndikuar në ngurtësimin e reagimit qytetar në Serbi, duke ndalur përshkallëzimin e mëtejmë të protestave, dhe ky duket të ketë qenë qëllimi i dytë i pushtetit në Serbi.

Ky grafik dëshmon se Serbia vazhdon të veprojë sipas modeleve të vjetra të prodhimit të krizave, të ngjashme me praktikat e periudhës së Millosheviqit, duke gjeneruar qëllimisht tensione përreth saj për të ruajtur pushtetin e brendshëm. Metodat hibride ruse vazhdojnë të shërbejnë si një “doracak reference” për destabilizimin e Kosovës dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor.
Pas agresionit të armatosur në Banjskë më 24 shtator 2023, edhe sulmi ndaj infrastrukturës kritike në Republikën e Kosovës përbën një tjetër akt të kryer nga aktorë shtetërorë të Serbisë, në bashkëpunim me struktura parashtetërore, përfshirë terroristin Millan Radoiçiq dhe pjesëtarë të tjerë të rrjetit të tij kriminal-terrorist.

Republika e Kosovës u bën thirrje partnerëve të saj ndërkombëtarë që këto zhvillime të mos trajtohen si incidente të izoluara sigurie, por të kuptohen si pjesë e një modeli sistematik të destabilizimit të sponsorizuar nga shteti, i cili rrezikon paqen e stabilitetin rajonal, rendin demokratik dhe arkitekturën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Përgjegjësia për këto veprime tashmë është sqaruar; nevojiten sa më shpejt hapa konkretë sanksionues, për të parandaluar përsëritjen e tyre.

Komento: