Kurti përkujton Heroin Isa Kastrati, në 24-vjetorin e rënies.
Në Kamenicë u mbajt sot Akademia Përkujtimore dhe u bë zbulimi i shtatores së Heroit të Kosovës, Isa Kastrati, në 24-vjetorin e rënies së tij.
Kryeministri Albin Kurti, ndonëse ishte i ftuar për të marrë pjesë në këto aktivitete të organizuara nën patronatin e kryetarit të Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, në bashkëorganizim me OVL të UÇK-së, dega në Kamenicë, në kuadër të Manifestimit “Lulëkuqet e Prillit”, ai nuk qe prezent.
Megjithatë, Kurti i është drejtuar familjarëve të dëshmorit Isa Kastrati dhe të pranishmëve tjerë, përmes një letre, që u lexua nga zëdhënësja e Komunës së Kamenicës, Lidiona Marovca.
Ai tha se dëshmorin Isa Kastrati e ka takuar personalisht qysh kur ishte adoleshent.
“Ndërkaq, hera e fundit që e kam parë, ishte në një ditë të vranët në selinë e UÇK-së në Prishtinë, kur teksa po dilte jashtë saj, më tha: ‘Erdha me i tregu Bacës Adem që po shkoj në front’. Ai ishte nisur të luftonte për çlirimin e Kosovës nga Serbia”, u tha mes tjerash në letrën e Kurtit.
Në letër më tej u tha se Isa Kastrati e kishte njohur Adem Demaçin fare herët, meqë kishte qenë me grupin e tij të të dënuarve politikë me burgim.
“Isa u dënua dhe u ridënua sërish disa herë, duke mbajtur mbi 10 vite e gjysmë burgim. Edhe pas daljes nga burgu, në korrik të vitit 1986, ai mbahej nën vëzhgim nga Shërbimi Sekret i Serbisë. Pas zhvendosjes në Prishtinë, Isa e ktheu shtëpinë e tij në hapësirë për Gjimnazin ‘Dr. Ali Sokoli’. Gjatë viteve ’90-të, ai qe shumë i angazhuar në aktivitete politike, derisa edhe iu bashkua grupeve të armatosura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas shpërthimit të luftës në Drenicë, Isa organizoi Këshillin e Emergjencës në Prishtinë për pritjen e refugjatëve të zhvendosur brenda Kosovës”, ka thënë Kurti.
Isa Kastrati u vra në luftime me forcat serbe 24 vite më parë, më 22 prill 1999, në Bullaj të Marecit në Malësinë e Gollakut. Ai ra dëshmor bashkë me Afrim Vitinë dhe Sokol Sopin.
“Duke kujtuar jetën e këtij aktivisti të lirisë së popullit të tij, pranoni konsideratat e mia më të larta për këtë luftëtar për çlirimin e Kosovës. Lavdi veprës patriotike të dëshmorit Isa Kastrati dhe gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës! Ju faleminderit”, përfundoi letra e Kurtit, e lexuar nga zëdhënësja e Komunës së Kamenicës, Lidiona Marovca.