
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti është deklaruar rreth situatës së krijuar nga reshjet e shiut, kur kanë kaluar më shumë se 24 orë nga vërshimet me të cilat u përball vendi e disa komuna edhe pësuan përmbytje e disa familje në disa fshatra u evakuuan nga shtëpitë e tyre.
Megjithatë, ai ka thënë se në teren kanë qenë ministrat në detyrë të Qeverisë, për të përcjellë situatën e rënduar dhe për të bërë ndërhyrjet e nevojshme dhe për të mbështetur institucionet lokale në evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara.
“Dje, gjatë gjithë ditës, në mbrëmje si dhe gjatë natës, ekipet e agjencive të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përfshirë edhe ministrat përkatës, Xhelal Sveçla dhe Hysen Durmishi, kanë qenë në terren për të përcjellë situatën e rënduar nga vërshimet dhe për të bërë ndërhyrjet e nevojshme, si dhe për të mbështetur institucionet lokale në evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara. Ministri Elbert Krasniqi ka komunikuar dhe ka qenë në kontakt me kryetarët e komunave më të prekura nga vërshimet, ndërkaq Forca e Sigurisë e Kosovës ka vendosur gjatë gjithë kohës në gatishmëri njësitet e saj, ka mbajtur kontakte me shtabet lokale emergjente dhe në Gjakovë ka mbështetur autoritetet lokale dhe qendrore në evakuimin dhe vendosjen e familjeve të rrezikuara. Në përballje me vërshime, vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe ruajtjes së infrastrukturës kritike. Sipas raporteve të deritanishme të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, komunat e prekura nga vërshimet e djeshme janë: Fushë Kosova, Lipjani, Obiliqi, Drenasi, Podujeva, Shtimja, Graçanica, Prizreni, Suhareka, Malisheva, Rahoveci, Mamushë, Dragash, Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj, Klina, Istogu, Juniku, Deçani dhe Peja. Ekipet operative vazhdojnë të jenë në terren, duke monitoruar gjendjen dhe duke qëndruar në gatishmëri të plotë. Aktualisht, situata sot është nën kontroll. Përveç dëmeve materiale në infrastrukturë dhe prona private, fatmirësisht nuk ka raste të lëndimeve serioze”, ka shkruar Kurti.
Ai ka shtuar se “Bazuar në të dhënave nga terreni, gjatë natës është intervenuar në shumë lokacione ku ka pasur rrëshqitje të dheut dhe gurëve, si dhe në zona ku janë bllokuar pusetat. Kompanitë përgjegjëse vazhdojnë të jenë në gjendje gatishmërie”.
Ndërkohë u ka bërë thirrje që të ndjekin udhëzimet e institucioneve publike deri në tejkalimin e gjendjes së shkaktuar nga vërshimet.
“Falënderoj zyrtarët e agjencive shtetërore, ekipet profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit dhe institucionet e sigurisë për reagimin e tyre vetmohues dhe në shërbim të qytetarëve. Falënderoj qytetarët për solidaritetin e treguar ndaj njëri-tjetrit dhe për bashkëpunimin me institucionet përgjegjës, dhe u bëj thirrje që të vazhdojnë t’i ndjekin me vëmendje udhëzimet e institucioneve publike deri në tejkalimin e plotë të gjendjes së shkaktuar nga vërshimet”, shkroi Kurti.