Albin Kurti tregon nëse u ftua në takim nga liderët për çështjen e presidentit

12:18 | 15 Nëntor 2020

Kurti tregon nëse u ftua në takim nga liderët për çështjen e presidentit.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ripërsëritur qëndrimin e partisë së tij për shkuarjen në zgjedhje të reja.

Teksa foli për zgjedhje, ai u pyet nëse është ftuar nga liderët e vendit për të diskutuar për çështjen e presidentit.

“Unë nuk kam pasur takime për çështjen e zgjedhjes së presidentit, Kosova ka ushtrues detyrë të presidentit, pra nuk është e zbrazët ajo karrige edhe për së paku gjashtë muaj, në bazë të Kushtetuës”, tha Kurti.

Ai tha se vendi mund të ketë president të ri pas zgjedhjeve të reja.

“Ne konsiderojmë që nuk mund të ketë unitet pa legjitimitet, presidenti ose presidentja e re duhet të përfaqësojë unitetin e popullit dhe kjo nuk mund të bëhet në kushtet kur kemi qeveri të paligjshme… Pas zgjedhjeve të reja, mund të kemi president të ri dhe Qeveria e vjetër nuk e ka legjitimitetin e as autoritetin për iniciativa të tilla”, tha më tej ai.

Tutje Kurti kërkoi që zgjedhjet të mbahen sa më parë, por tha se rrëzimi i Qeverisë nuk varet vetëm prej LVV-së.

“Zgjedhjet duhet të mbahen sa më parë, çdo ditë e humbur është ditë e fituar për të korruptuarit dhe një ditë më pak për qytetarët e vendit tonë”, tha ai ndër të tjera.

Komento: