LDK dhe Vetëvendosje pritet të shkojnë në zgjedhje të parakohshme parlamentare me lista të ndara zgjedhore.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thumbuar Lidhjen Demokratike të Kosovës duke shkruar se kanë tentuara ta mbysin vullnetin e popullit me pazare.
“Meqë e dinë se si ka vendosur populli, tentojnë që këtë vullnet të popullit ta mbysin me pazare e kushte parazgjedhore për emrin e kryeministrit” shkroi Haxhiu.
Ajo tutje ka shkruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të lejojë që të përmbyset ky vullnet përmes pazareve politike.
“Besimi që ta jep populli, është mbi gjithçka tjetër dhe nuk lejojmë që këtë besim ta përmbysin pazaret” shtoi ajo.
Tutje, Haxhiu shtoi se partia e udhëhequr nga Albin Kurti është shpresa e vetme, e kjo do të vërtetohet me 6 tetor.
Sot në orën 00:00 është afati i fundit për të paraqitur koalicionet parazgjedhore në KQZ. Ndërsa siç edhe është paralajmëruar, një koalicion mes LDK’së dhe LVV’së me gjasë ka dështuar. Kjo erdhi pasi që Mustafa ia refuzoi kërkesën e Kurtit për një koalicion pa kandidat për kryeministër.