Albulena Haxhiu godet PSD-në, thotë se e vërtetuat se jeni më të vegjël se 3 për qind.
Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu pas nënshkrimit të marrëveshjes për koalicion parazgjedhor në mes të AAK-së e PSD-së po thotë se kjo konfirmon atë që në vazhdimësi VV ka thënë për partinë e Shpend Ahmetit, që sipas saj vazhdimisht i kanë dhënë mbështetje PAN-it.
Përmes një shkrimi në Facebook, Haxhiu po thotë se edhe sot Shpend Ahmeti e PSD kanë zyrtarizuar koalicionin me kryeministrin e PAN-it.
“Por edhe më me rëndësi është demaskimi (apo vetëdemaskimi) i tyre duke pranuar poshtërimin publik, vetëm për të shmangur vendimin eventual për mos shkuarje në zgjedhje. Ne kemi qenë të bindur dhe e kemi deklaruar se Shpendi me të vetët në asnjë rrethanë nuk do të shkojnë të vetëm në zgjedhje, për të evituar dënimin e paevitueshëm nga ana e votuesve”, thotë Haxhiu.
E njëjta, duke ju referuar deputetëve të PSD-së, si klika që doli nga VV-ja, tha se këta kanë insistuar që vazhdimisht ulëset në parlament i patën të fituara e jo të vjedhura.
“Klika që doli nga Vetëvendosja, me 12 ulëset në parlament, për të cilët vazhdimisht ka insistuar se janë të fituara e jo të vjedhura, hyri në negociata për koalicion parazgjedhor me një subjekt tjetër politik (AAK) që po ashtu ka 12 ulëse. Sikur ata vetë, ose edhe AAK vetëm pak të kishin besuar që këto ulëse janë të fituara e jo të vjedhura, diskutimi do të shkonte drejt ndarjes së barabartë të numrit të kandidatëve në listën e përbashkët zgjedhore. Duke i ofruar më pak se çerekun e vendeve në listë, Haradinaj u tregoi publikisht se sa i vlerëson ai këto 12 ulëset (më pak se çerekun e deputetëve të vet), kurse me pranimin e ofertës, klika e pranoi publikisht tradhtinë që ka bërë ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, tha tutje.
Haxhiu tutje ka shtuar se PSD e ka pranuar se janë sa një e katërta e AAK-së.
‘Pra, klika pranoi se është më e vogël se 1/4 e AAK. E meqenëse AAK është diku 12%, i bie se klika janë më pak se 3%. Sondazhet paskan qenë të sakta. Tash haptazi ata e pranuan se në çfarë momenti të vështirë ndodhen kur askush tjetër nuk pranonte t’i fuste në listat e veta pa i poshtëruar paraprakisht”, ka përfunduar ajo.