
Ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anushiq, i ka reaguar presidentit të Serbisë, Aleksander Vucic, pas pretendimeve të këtij të fundit se aleanca ushtarake Kroaci, Shqipëri dhe Kosovë e ka komplikuar situatën e sigurisë.
Anushiq pas një takimi që ka pasur me homologun shqiptar, Ermal Nuka, ka thënë se Deklarata Trilaterale Zagreb, Tiranë e Prishtinë synon forcimin e stabilitetit në Evropën Juglindore dhe thellimin e raporteve miqësore.
Ministri kroat ka thënë se ka kaluar koha kur dikush i diktonte Kroacisë se çfarë të bëjë e si ta zhvillojë politikën e saj.
“Në përgjigje të pyetjes së përsëritur në lidhje me reagimin e Serbisë, përgjigjja është e njëjtë – ka kaluar koha kur dikush i diktonte Kroacisë, sot një shtet sovran dhe anëtar i NATO-s dhe BE-së, se çfarë do të bënte dhe si do ta zhvillonte politikën e saj. Ajo kohë nuk do të ndodhë më kurrë!”, ka shkruar Anushiq.