Vuçiq: Serbia vazhdon luftën për Kosovën në të gjitha frontet diplomatike.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot, duke iu referuar ngjarjeve të javës së kaluar, se Serbia ka vazhduar luftën për Kosovën në të gjitha frontet diplomatike.
Ai shkruan në llogarinë e tij në Instagram se kjo luftë nuk ka qenë asnjëherë e lehtë dhe se po bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe komplekse.
“Dhe këtë javë Serbia vazhdoi luftën në të gjitha frontet diplomatike për Kosovën tonë, fundin e dhunës ndaj serbëve dhe kthimin në dialog, për jetën paqësore dhe të sigurt të popullit tonë dhe stabilitetin e gjithë rajonit. asnjëherë nuk ka qenë e lehtë dhe sot më duket po bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe më komplekse”, ka shkruar ai.
Ai mes tjerash thekson se javën e kaluar ka biseduar me kryeministrat e Holandës, Luksemburgut, Hungarisë, Austrisë dhe Shqipërisë, presidentët e Turqisë dhe Francës, si dhe me zëvendëspresidentin e qeverisë italiane.
“Të gjithëve iu paraqit rreziku i përshkallëzimeve dhe tensioneve të mëtejshme të panevojshme. Unë kërkova nga të gjithë bashkëbiseduesit, para së gjithash, të shikojnë kushtet e patolerueshme në të cilat jeton komuniteti serb në Kosovë. Lufta vazhdon dhe intensifikohet, sepse dorëzimi nuk është opsion”, shtoi Vuçiq