Vuçiq: Nuk do të ketë dorëzim, të formohet Asociacioni.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka ripërsëritur thirrjen që të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, duke thënë se vetëm kështu mund të fillojë normalizimi i marrëdhënieve.
“Nuk ka dhe nuk do të ketë dorëzim, ky është vendimi i Serbisë dhe mesazhi im për popullin tonë në Kosovë, i cili sërish detyrohet të mbrojë vatrat e tyre me barrikada”, ka shkruar Vuçiq në Instagram, transmeton Klankosova.
“Mesazhi për të gjithë të tjerët është që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, të respektohen të drejtat dhe liritë e serbëve dhe të Serbisë dhe të sillen në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara dhe të drejtën ndërkombëtare, sepse vetëm kështu mund të fillojë normalizimi i marrëdhënieve dhe jetës së të gjithë neve”, u shpreh tutje ai.
“Ne vazhdojmë të luftojmë me të gjitha mjetet ligjore për paqen, për një jetë dhe të ardhme më të mirë të fëmijëve tanë. Serbia do të fitojë!”, përfundoi Vuçiq.