
Liburn Aliu, ka folur për përgjimet.
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, është deklaruar për herë të parë për raportimet e para dy ditësh për një aferë korruptive në ministrinë që ai drejton.
Ai e ka quajtur qesharak audio-incizimin e publikuar, ku pretendohet se ai është i përfshirë në korrupsion, shkruan Reporteri.net.
“Kur e dëgjuam incizimin e famshëm që kërkonte orë të tëra interpretim për me ba ma serioze, kur dolën ishte qesharake. Ne pritëm çka do të ketë kjo, doli që dy persona, mbase të kompanive private, kanë folë me njëri tjetrin dhe se përmendin fare as këshilltarin e as ministrin, ata flasin mes vete, po të ishte si incizim i autorizuar, do të duhej të hetohej. Këtë pompozitetin, flluskën e madhe e prisnim se po del dicka, se e ke një adminstratë që e ke trashëgu dhe e jona është më qenë syçel. Nuk doli asnjë lidhje me Florent Ramqajn, as s’përmendet”, ka thënë Aliu në T7.
Aliu e ka quajtur këtë sulm dhe ka thënë se s’është i pari.
“Ky sulmi që ka qenë, s’është i pari. Prej ditës kur e kam marrë detyrën ka fillu me sulme. Prej aktakuzës së famshme për mbrojtjen e interesit publik për lagjen Çagllavica, duke kalu te çështjet jo ka shtëpi në Marigonë, jo ka fëmijë në shkolla private e deri të motra”, ka deklaruar Aliu.
Ministri ka thënë se edhe ky rast duhet të hetohet, duke thënë se është shumë e mundshme që ka ndodhë diçka e tillë.
“Këtu flasin dy persona të kompanive private flasin mes vete dhe është shumë e mundshme që ka ndodhë një gjë e tillë. Gjëra të tilla kanë ndodhë gjithmonë te ne nëpër ministri. Që ndodhin pazare e mund të ndodhin nuk mund ta mohoj. Duhet të hetohet, mund të jetë e vërtetë, këtu s’ka dyshim fare”, ka thënë ai.
Ai e ka pranuar se është takuar me Halil Jahajn, që është daja i këshilltarit të tij, Florent Ramqajt.
“Halil Jahajn e kam taku në VV. E kemi taku edhe se është inxhinier i ujërave dhe kemi fol për ujërat. As ky nuk është në përgjim. Prej Buzhalës u paralajmëru që unë kam me qenë në përgjim duke fol. Pastaj u tha që këshilltari, e as ai nuk doli”, ka thënë Aliu.
Ai ka thënë se i beson plotësisht këshilltarit të tij, Florent Ramqajt. Ka shtuar se nëse i ofrohen fakte që e ndërlidhin, do ta shkarkojë.
Ndryshe, të mërkurën u raportua për një aferë në një ministri tjetër të Qeverisë Kurti. Bëhet fjalë për Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, që udhëhiqet nga Liburn Aliu.
Ëeb-emisioni “Ditari i Buzhalës” raportoi për një rast korrupsioni, ku përmendet edhe emri i ministrit Liburn Aliu. Aty përmenden shuma astronomike ryshfeti.
Gazetari Berat Buzhala, në këtë emision pretendonte se ka zbuluar përgjime autentike që dëshmojnë se si një kompani projektuese e lidhur me pushtetin e Vetëvendosjes, u zu “me pelë për dore” duke kërkuar ryshfet.
Bëhet fjalë për kompaninë “Infratek”, ku kishte punuar këshilltari i ministrit Aliut, Florent Ramqaj, e cila është pronë e dajës së tij, Halil Jahaj.
Në përgjimet e publikuara, Idriz Shala, një punëtor i kompanisë “Infratek”, dëgjohet teksa kërkon ryshfet në emër të kompanisë dhe pronarit të saj Jahaj nga një kompani tjetër.
Raportohet se “Infratek” është kontraktuar nga institucionet për të bërë pranimin e disa projekteve infrastrukturore dhe në saje të saj, kompania “shfrytëzon kompetencën” e saj për të kërkuar ryshfet nga një tjetër kompani në mënyrë që t’i bëhet pranimi i projektit të përfunduar.
Projekti konkret, sipas gazetës, lidhet me ndërtimin e rrugës Gjakovë-Dollc.
Krejt dyshimet bien mbi këshilltarin Ramqaj dhe rrjedhimisht ministrin Aliu, për shkakt afërsisë së madhe të Ramqajt me kompaninë “Infratek”, e cila përmes kompetencës së marrë, ka një pushtet mbi kompanitë tjera, të cilave u lëshohen pagesat vetëm pas miratimit të projekteve nga kompania e afërt me këshilltarin e ministrit.
Në përgjimin e publikuar, Shala, në emër të kompanisë “Infratek” kërkon 30 mijë euro nga kompania punëkryese.
Pas këtyre raportimeve, ka reaguar Florent Ramqaj, i cili ka thënë se s’ka asgjë të vërtetë, duke i quajtur këto raportime shpifje. Madje, ka paralajmëruar edhe padi.
“Nuk ka asgjë të vërtetë te sulmet me shpifje, përveç faktit se shpifjet po porositen nga ata që janë stërpasuruar padrejtësisht. Nga ata që ne ua kemi ndalë hajninë.
Pikërisht në kohën kur lëre që nuk ka keqpërdorime por edhe ku janë duke u luftuar e denoncuar cdo ditë keqpërdorimet e mëdha që kanë ndodhur, sidomos në ministrinë Infrastrukturës, sot qenka publikuar një emision, ku për ironi lakohet emri im për kinse keqpërdorime”, ka shkruar Ramqaj në Facebook.
Ai u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve të hetuesisë dhe drejtësisë që të trajtojnë cdo dyshim mbi veprimtarinë e tij.
“Sot, pastërtine time unë po e shprehi në dy mënyra. Së pari, duke i cilësuar si të pasakta dhe të pavërteta pretendimet edhe interpretimet e bëra – që më së shumë tregojnë për familjarizimin e autorit të këtij emisioni me praktikat korruptive të deritanishme. Së dyti, duke shprehur gatishmërinë por edhe duke u bërë thirrje të gjitha institucioneve të hetuesisë dhe drejtësisë që të trajtojnë cdo dyshim mbi veprimtarinë time përgjatë kohës sa jam i angazhuar në ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, ka shkruar Ramqaj.