Aliu nga IHMK: Nuk pritet të kemi vërshime – java e ardhshme me mot deri në 24 gradë

23:45 | 04 Tetor 2024
aliu-nga-ihmk:-nuk-pritet-te-kemi-vershime-–-java-e-ardhshme-me-mot-deri-ne-24-grade

Reshjet që kanë nisur gjatë ditës së sotme në territorin e Kosovës, nuk pritet të sjellin vërshime.

Kështu deklaroi Besim Aliu, hidrometeorolog nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) në Edicionin Special të Klan Kosova.

Megjithatë, ai tha se në Pejë mund të ketë vërshime, jo për shkak të sasive të mëdha të reshjeve, por për shkak të infrastrukturës së dobët.

“Nuk parashihet të kemi vërshime, së paku në rrafshin e Kosovës. Kurse pjesa e Dukagjinit, në Pejë, për momentin kemi 36 litër për metër katror. Sasitë e tyre do të rriten gjatë natës, por mund të kemi vërshime të shkreta, jo për shkak të reshjeve të mëdha, por për shkak të infrastrukturës së dobët”, deklaroi Aliu, raporton Klankosova.tv.

Ai thotë se këto reshje nuk paraqesin rrezik dhe se, sipas sektorit të hidrologjisë, nivelet e lumenjve nuk kanë rritje të mëdha, pra gradualisht niveli i tyre po bie.

Ai tha se ky ciklon ka përfshirë pothuajse tërë Ballkanin. Megjithatë, shprehet se dëmet janë regjistruar në Jabllanicë të Bosnjës, pastaj edhe në Mal të Zi e në Shqipëri, kurse thekson se në Kosovë reshjet janë me një intensitet paksa më të ulët.

“Sasitë e reshjeve deri në këtë moment nuk janë shumë të larta. Më së shumti kemi në Pejë, rreth 36 litra për metër katror, e më së paku në Kamenicë me 12 litra për m2. Kurse në viset e larta, në perëndim të Kosovës, kemi sasi bukur të larta, por gjatë natës, intensiteti i tyre do të bie për shkak të rritjes së presionit atmosferik dhe vranësirat do të shpërndahen deri nesër. Pra, reshjet do të ndalen, dhe pastaj sërish do të kemi nesër reshje, por intensiteti i tyre gradualisht do të bie”, tha Aliu.

Gjatë ditës së shtunë, hidrometeorologu tha se temperaturat do të luhaten nga 10-12 gradë Celsius minimalet, kurse maksimalet nga 16-19.

Ndërkaq të dielën, Aliu tha se pritet të kemi edhe intervale me diell. Minimalet do të shkojnë nga 9-11 kurse maksimalet e ditës, nga 14-17 gradë Celsius.

Duke u ndalur te parashikimi i motit për pjesën e parë të tetorit, Besim Aliu tha se në këtë periudhë parashihen të jenë temperaturat 23-24 gradë Celsius.

“Pra, java e ardhshme do të jetë me mot kryesisht stabil. Do të kemi intervale bukur të gjata me diell”, deklaroi Aliu në Klan Kosova.

Komento: